Autoritetet policore në Francë kanë ekzekutuar personin i cili dyshohet se qëndron pas sulmit në tregun e Krishtlindjes në Strasburg. Sipas BBC, lajmi u bë i ditur nga burime policore për reporterët.
Cherif Chekatt ndodhej në arrati që prej sulmit të së martës në mbrëmje. Tre persona humbën jetën si pasojë e të shtënave në tregun e mbushur me njerëz, ndërsa disa të tjerë mbetën të plagosur.
France Info raportoi se Chekatt u gjet i fshehur në një magazinë në zonën e Meinau dhe u vra nga policia. I dyshuari kishte disa precedentë penalë dhe ishte shndërruar në islamist radikal teksa ndodhej në burg.
Me qindra oficerë policiedhe forca të sigurisë ishin vënë në kërkim të tij. Meinau nuk është shumë larg nga zona e Neudorf, ku i dyshuari u pa për herë të fundit. BBC shkruan se pikërisht në këtë vend u zhvillua një operacion masiv policor më herët gjatë kësaj të enjteje./