Qeveria italiane kërkon të drejtën për emërimin e 5 anëtarëve të bordit të Bankës Qendrore

Saturday, 22 June 2019 08:55

Koalicioni qeveritar në Itali ka hartuar një projekt-ligj që synon t’i japë qeverisë dhe parlamentit të drejtën për të emëruar bordin me 5 anëtarë të bankës qendrore, duke i dhënë fund sistemit aktual të zgjedhjes së anëtarëve brenda bankës. Projekt-ligji pritet të rrisë tensionet mes Bankës së Italisë dhe qeverisë populiste. Koalicioni ka akuzuar bankën qendrore për mbikëqyrje të dobët, që ka shkaktuar kolapsin e bankave tregtare në vitet e fundit, ku mijëra italianë kanë humbur kursimet e tyre.

Guvernatori i Bankës së Italisë, Ignazio Visco, ka kritikuar prej kohësh Qeverinë, duke paralajmëruar se rritja e shpenzimeve rrezikon të zerohet nga rritja e kostove të huamarrjes që vjen si pasojë e tyre. Projekt-ligji, që duhet të miratohet nga të dyja dhomat e parlamentit përpara se të kthehet në ligj, vjen 5 muaj pasi lideri i ligës, Mateo Salvini, premtoi të pastrojë të gjithë bordin e bankës.

Sipas projekt-ligjit, që titullohet “Modifikime të Statutit dhe Organizmave të Bankës së Italisë”, 3 anëtarët e bordit, përfshirë guvernatorin dhe zv/guvernatorin, duhet të caktohen nga kryeministri. Dy personat e tjerë që mbeten duhet të caktohen nga dhoma e ulët e parlamentit dhe nga Senati. Aktualisht, Qeveria ka të drejtë vetëm për emërimin e guvernatorit, që caktohet nëpërmjet një procedure të komplikuar, ku kërkohet konsultë me këshillin superior të Bankës Qendrore.

Login to post comments