Boris Johnson kryeson edhe në raundin e pestë të votimit. Tani janë anëtarët e partisë që vendosin nëse do të jetë ai apo ministri i Jashtëm Hunt kreu i ri i qeverisë në Britani.
Në zgjedhjet për pasardhësin e kryeministres Theresa May-t në post, edhe në raundin e pestë dhe të fundit të votimit, Boris Johnson ndodhet në mënyrë të konsiderueshme përpara. Ish-ministri i Jashtëm arriti të marrë 160 vota. Në vendin e dytë vjen ministri aktual i Jashtëm, Jeremy Hunt, me 77 vota. Ministri i Mjedisit, Michael Gove u skualifikua.
160,000 anëtarë të partisë konservatore britanike Tory do të vendosin tani deri në fund të korrikut me votim postar midis Johnsonit dhe Huntit, për kryetarin e ri të partisë. Kryetari i partisë gjithashtu merr postin e kreut të qeverisë.
Hunti ishte në të vërtetë në favor të qëndrimit të Britanisë së Madhe në BE. Megjithatë, 52-vjeçari e kritikoi më vonë sjelljen e Brukselit në negociata si “arrogante”. Ndikimi i Huntit në kabinet është rritur gradualisht. Megjithatë, një dalje nga BE pa marrëveshje Hunti e ka quajtur “vetëvrasje politike”.
55-vjeçari, Boris Johnson dëshiron ta rinegociojë marrëveshjen për daljen nga BE, gjë të cilën Brukseli e kundërshton rreptësisht. Po të mos ketë sukses kjo përpjekje, ai dëshiron të shkëputet më 31 tetor pa marrëveshje nga BE – një hap me pasoja drastike për ekonominë dhe shumë fusha të tjera të jetës. Johnsoni konsiderohet shumë i preferuar në bazën e partisë. Ai ishte një nga mbështetësit kryesorë të Brexit para referendumit në vitin 2016.
Në atë kohë, britanikët votuan ngushtë në favor të ndarjes nga BE. Por dalja u desh të shtyhej disa herë, për shkak se në Parlament nuk u krijua një shumicë për të mbështetur marrëveshjen e negociuar nga kryeministrja Theresa May me Brukselin. Afati i fundit për tërheqjen nga BE tani është zgjatur deri më 31 tetor. Nga DW/