Të paktën 17 persona janë vrarë dhe 28 të tjerë janë lënduar nga shpërthimi i një bombe në oborrin e një hoteli afër aeroportit ndërkombëtar në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu. Lajmin e bënë të ditur zyrtarët shëndetësorë.
Përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës e ka marrë grupi “Al-Shabaab”, i cili ka lidhje të ngushta me grupin “Al Qaeda” dhe që po mundohet ta rrëzojë nga pushteti qeverinë somaleze të mbështetur nga Kombet e Bashkuara.
Drejtori i spitalit “Madina”, në të cilën u dërguan të lënduarit, Mohammed Yusuf, tha se mjekët i kanë pranuar 17 trupa të pajetë dhe 28 persona të lënduar, 12 prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike.
Shpërthimi ndodhi në pikën e parë të kontrollit në rrugën që dërgon në aeroportin e Mogadishu-s. Kështu tha Farah Hussein, i cili ishte dëshmitar i sulmit.
Somalia është përballur me luftë civile që nga viti 1991, kur disa udhëheqës ushtarakë e kishin rrëzuar nga pushteti diktatorin Jaalle Mohamed Barre, ndërsa më pas kishin nisur të luftonin kundër njëri-tjetrit, shkruan “Reuters”.