Në vijim të protestave antiqeveritare, qindra protestues në Hong Kong bllokuan shërbimet e trenit në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Ajo që filloi tre muaj më parë si protestë kundër një projektligji ekstradimi që do të lejonte që njerëzit në Hong Kong të dërgoheshin në territorin e Kinës për gjykim, tani ka krijuar një reagim më të gjerë kundër qeverisë.
Protestat kanë ndodhur pothuajse çdo ditë, ndonjëherë edhe pa njoftim, duke prishur biznese, duke ushtruar presion mbi qeverinë e bllokuar të Hong Kongut dhe duke përdorur edhe forcë ndaj policisë së qytetit ndonjëherë.
Megjithatë, edhe policia është akuzuar se përdor forcë të tepërt.
Aktivistët bllokuan dyert e trenave, duke shkatërruar shërbimet e ofruara dhe duke detyruar qindra njerëz të dilnin nga stacionet hekurudhore në kërkim të transportit alternativ.
“Ne nuk e dimë se sa kohë do të qëndrojmë këtu, ne nuk kemi një udhëheqës, pasi ju mund të shihni se kjo është një lëvizje masive tani,” tha Sharon, një protestuese e maskuar 21 vjeç, e cila nuk pranoi të jepte emrin e plotë. “Nuk është qëllimi ynë të bezdisim njerëzit, por ne duhet t’i bëjmë autoritetet të kuptojnë pse po protestojmë. Ne do të vazhdojmë me këtë për sa kohë të jetë e nevojshme”-tha ajo.