VOA/SHBA vendosin saknsione të reja kundër Rusisë

Saturday, 03 August 2019 21:25

Shtetet e Bashkuara kanë ndëshkuar Rusinë me një raund të ri sanksionesh lidhur me helmimin vjet të një ish-agjenti të dyfishtë dhe vajzës së tij.

Departamenti amerikan i Shtetit tha permes një deklarate se masat e reja “do të pengojnë lëvrimin e kredive apo të ndihmave të tjera financiare për Rusinë nga institucione ndërkombëtare si Banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar”.

Gjithashtu, bankave amerikane nuk u lejohet të angazhohen në transaksione financiare me Rusinë.

Po ashtu do të rikthehen në veprim politikat që nuk lejojnë nxjerrjen e lejeve për eksportim në Rusi të materialeve kimike e biologjike që përfshihen në listën e kontrolluar të Departamentit amerikan të Tregtisë.

Sanksionet do të hyjnë në fuqi pas një periudhe 15 ditëshe për informimin e Kongresit dhe do të jenë aktive për një vit.

Masat ndëshkimore morën shkas nga helmimi me agjent nervor i Sergei Skripalit dhe vajzës së tij vjet në Salisbury të Britanisë. Hetimet arritën në përfundimin se sulmi u krye nga operativë rusë. Nga ky incident gjeti vdekjen edhe një britanike që kishte rënë aksidentalisht në kontakt me agjentin nervor.

Login to post comments