Presidenti amerikan Donald Trump përshkallëzoi të hënën sulmet ndaj kreut demokrat të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Adam Schiff, duke sugjeruar se ai duhet të arrestohet për “tradhti”.
Zoti Schiff drejton hetimin për procedurën për shkarkim ndaj presidentit.
“Ligjvënësi Adam Schiff, në mënyrë të paligjshme sajoi një deklaratë TË RREME & të tmerrshme, me pretendimin se e kisha bërë unë, e paraqiti si pjesën më të rëndësishme të telefonatës sime me presidentin ukrainas dhe e lexoi para Kongresit dhe popullit amerikan. Nuk kishte ASNJË lidhje me çka thashë unë në telefonatë. Arrestim për Tradhti?” shkruante ai në Twitter.
Presidenti Trump ka bërë disa postime në Twitter të hënën, duke përsëritur mbrojtjen e një telefonate në korrik me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, e cila është në qendër të ankesës së një informatori
“E përsëris, Presidenti i Ukrainës tha se nuk ka pasur ASNJË PRESION NDAJ TIJ NGA UNË. Çështja është e mbyllur”, tha zoti Trump në Twitter.
Ndërkohë, avokatët që përfaqësojnë informatorin, po theksojnë nevojën për mbrojtjen e identitetit të tij, ndërsa presidenti thotë se duhet të “takojë akuzuesin” e tij.
“Si çdo amerikan, unë kam të drejtën të takoj akuzuesin tim, veçanërisht kur ky akuzues, i ashtuquajtur ‘informator’ interpretoi një bisedë të përkryer me një udhëheqës të huaj në një mënyrë krejtësisht të pasaktë dhe mashtruese”, shkruante zoti Trump në Twitter të dielën.
“Përveç kësaj, dua të takoj jo vetëm akuzuesin tim, që paraqiti informacion TË DORËS SË DYTË & DHE TË TRETË, por edhe personin që në mënyrë të paligjshme i dha atij informacionin, që ishte përgjithësisht i pasaktë. A po PËRGJONTE ky person presidentin amerikan? Pasoja të rënda!” vazhdonte ai.
Ekipi ligjor i informatorit, kryesuar nga Andrew Bakaj nxorri një deklaratë të dielën, ku thuhej se avokatët vazhdojnë të punojnë me demokratët dhe republikanët në Kongres për të finalizuar detajet logjistike të takimit të informatorit me ligjvënësit, por shtoi se nuk është caktuar ndonjë datë.
Një tjetër avokat mohoi një njoftim sipas së cilit, informatori ishte nën mbrojtje federale për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
Grupi ligjor publikoi një letër që i kishte dërguar Zyrës së Drejtorit të Zbulimit Kombëtar ku thuhej se shqetësimet e tyre për sigurinë personale të informatorit, janë shtuar javën e fundit dhe se “parashikojnë që situata të keqësohet”. Ata përmendën si tregues një deklaratë të presidentit.
“Dua të di se cili është personi që i dha informatorit të dhënat, sepse është si të jetë spiun. E mbani mend se si vepronim dikur kur ishim të zgjuar, apo jo? Me spiunët dhe tradhtarët…Silleshim pak ndryshe nga ç’bëjmë tani”, tha zoti Trump të enjten.
Avokatët thanë gjithashtu se kishte njerëz që po ofronin shuma të konsiderueshme parash në këmbim të informacionit për identitetin e informatorit.
Në një letër tjetër për udhëheqësit demokratë dhe republikanë të komisioneve të zbulimit të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, avokatët e informatorit u bënë thirrje ligjvënësve “të ngrenë zërin në mbrojtje të informatorit dhe të rikonfirmojnë se ky është një sistem mbrojtjeje ku hakmarrja nuk lejohet, as drejtpërdrejt dhe as e nënkuptuar”.
Informatori ka thënë se Presidenti Trump, në një telefonatë të 25 korrikut, kërkoi ndihmë nga presidenti i ri i Ukrainës për të nxjerrë informacione inkriminuese për ish-nënpresidentin Joe Biden dhe djalin e tij Hunter që do të dëmtonin perspektivat e zotit Biden për të fituar emërimin presidencial të partisë demokrate dhe për të sfiduar Donald Trump-in në vitin 2020.
Si nënpresident, Biden dhe drejtues të tjerë perëndimorë ushtruan presion ndaj Ukrainës për të hequr prokurorin e lartë të vendit, Viktor Shokin, sepse ai shihej si jo i ashpër sa duhet për korrupsionin.
Zoti Trump ka pohuar se Biden po kërkonte të mbronte djalin e tij, por ky pretendim është hedhur poshtë./VOA