Mbi 8 000 civilë sirianë të vrarë nga bombardimet ruse

Hënë, 30 September 2019 20:09

Të paktën 8 289 civilë janë vrarë gjatë bombardimeve të avionëve ushtarakë rusë që nga viti 2015, kur Moska nisi operacionet ushtarake në Siri, deklarohet nga një grup monitorimi në vend.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Britaninë e Madhe, deklaroi se ndër të vrarët, kryesisht nga avionët ushtarakë rusë, 1 997 janë fëmijë nën moshën 18 vjeç.

Rusia, aleat kryesor i presidentit sirian Bashar al-Asad, i nisi sulmet ndaj zonave rebele të opozitës dhe grupeve xhihadiste në fund të shtatorit të vitit 2015.

Monitoruesit deklarojnë se avionët ushtarakë rusë kanë vrarë gjithashtu rreth 5 485 rebelë dhe anëtarë të grupeve xhihadiste si, Hayat Tahrir al-Sham, grup ky i lidhur me Al-Kaedën.

Që nga prilli i vitit 2019, forcat e qeverisë ruse dhe asaj siriane janë angazhuar në një operacion të gjerë në veriperëndim të Sirisë, që ka shpërngulur nga vendi më shumë se 160 000 njerëz. (Atsh)

Login to post comments