E vranë dhe i prenë trupin copa-copa, flet e fejuara e Kashogit: Ai nuk e mendonte

E mërkurë, 02 October 2019 08:34

Xhamal Kashogi (Jamal Khashoggi), kritiku i fortë i qeverisë së Arabisë Saudite, u vra në konsullatën saudite në Stamboll, një vrasje, që deri tani ka mbetur pa pasoja. “Jam e zhgënjyer”, thotë e fejuara në intervistë me Deutsche Wellen.

Hatixhe Cengiz është e fejuara e gazetarit të vrarë dhe kritikut të qeverisë saudite, Xhamal Kashogi. Më 2 tetor 2018, ditën e vrasjes së tij ajo e shoqëroi atë deri në konsullatën saudite.

I fejuari donte vetëm të dorëzonte një dokument për martesën, Hatixhja priste para ndërtesës. Por ai nuk doli më i gjallë nga konsullata: Një komando speciale e ardhur enkas nga Arabia Saudite e vrau Xhamal Kashogin, dhe në fund e preu trupin në copa. Një vit pas vrasjes, Hatixhe Cengiz flet për Deutsche Wellen.

Deutsche Welle: Nëse sot pas një viti e ktheni kokën pas dhe mendoni për vrasjen e të fejuarit tuaj, Xhamal, çfarë qëllimesh ndiqnin ata që e vranë?

Hatixhe Cengiz: Xhamal në momentin e vrasjes së tij ishte një person që paraqiste rrezik të madh për politikën e Arabisë Saudite. Por nuk do ta kisha menduar kurrë, se urrejtja do të shkonte kaq larg, sa ata thjesht një ditë ta eliminonin. As Xhamal nuk e kishte menduar kurrë këtë. Në sytë e sundimtarëve të Arabisë Saudite, ai ishte dikush, që i thoshte hapur gjërat, që duhej të fshiheshin. Kësaj iu shtua, që pozicionet e tij kritike, ai donte t’i përhapte përmes themelimit të një insituti studimor politik në SHBA. Thënë shkurt: Qeveria nuk e duronte dot më këtë kundërshtar me influencë.

Një raport hetimor i Kombeve të Bashkuara, që u publikua në qershor, përmbante detaje të tmerrshme për vrasjen e Kashogit. Raporti arrinte në përfundimin: Arabia Saudite është qartësisht përgjegjëse për vrasjen. A jeni e kënaqur me bashkëpunimin ndërkombëtar për zbardhjen e vrasjes?

Hetimet në Turqi nuk kanë dalë ende në një konkluzion përfundimtar. Ka të dhëna, se do të informohemi shpejt për stadin e hetimeve. Për mua ka shumë kuptim raporti i Kombeve të Bashkuara. Madje është inkurajuese, sepse ai i bashkon disa akuza. Nga ana tjetër ai pati një jehonë të madhe botërore. Kur u bë i ditur për herë të parë ky raport, unë kisha ende shpresa, që shtete të BE-së mbi këtë bazë do të vendosnin sanksione. Por asnjë vend nuk ka ndërmarrë hapa konkrete – asnjë dënim nuk ka rezultuar prej kësaj. Mendoj se sanksionet do të ishin të nevojshme. Kjo më ka zhgënjyer.

Ju keni kontakte edhe në SHBA. Çfarë keni mësuar nga bisedat tuaja për vrasjen e të fejuarit tuaj, Xhamal Kashogi?

Anëtarët e Kongresit Amerikan janë të pakënaqur, që deri më tani nuk janë ndërmarrë hapa konkretë. Ata kanë përmendur, se po punojnë për ligje të caktuara, që në të ardhmen ta pengojnë Arabinë Saudite të kryejë operacione të tilla vrasjeje. Ata janë gjithmonë të impenjuar, që politika e Trumpit të mos perceptohet si politikë përfaqësuese amerikane.

Hetimet në Turqi vazhdojnë ende. A informoheni rregullisht për to?

Jo, unë ndjek natyrisht lajmet. Me aq sa di, prokuroria do të japë së shpejti një deklaratë. Por nuk kam kontakt personal me autoritetet.

Si e komentoni ju deklaratën e princit trashëgimtar saudit, Muhamed bin Salman, që do të marrë përgjegjësinë?

Për mua kjo tingëllon si një manovër politike. Shumë vendimmarrës në Arabinë Saudite janë shprehur në të njëjtën mënyrë. Unë i ndjej pohime të tilla, si një përpjekje për të zbutur disi presionin e opinionit. Ai thotë, se do të marrë përgjegjësinë. Por në të njëjtën kohë pohon, se nuk ka ditur asgjë për këtë. Kjo nuk ka kuptim për mua.

Login to post comments