“Britania e Madhe do të dalë nga BE patjetër më 31 tetor”, kryeministri prezanton sot planin e ri

E mërkurë, 02 October 2019 08:46

“Backstop”-i duhet të hiqet, thotë Boris Johnson e Britania e Madhe do të dalë nga BE patjetër më 31 tetor. Po si? Boris Johnson paraqet të mërkurën një propozim të ri në kongresin e konservatorëve.

Tetori filloi, e në fund të tij, kryeministri britanik Boris Johnson kërkon ta nxjerrë Britaninë e Madhe nga BE, me ose pa marrëveshje. Një Brexit i rregulluar me marrëveshje mbetet varur tek një çështje: do të mund të pengohet një kufi i fortë me kontrolle e postblloqe mes Irlandës Veriore britanike dhe Republikës së Irlandës, që mbetet anëtare e BE-së? Johson paraqet të mërkurën disa ide për një ujdi të re me BE, nëse BE nuk i pranon ato, atëherë mbetet Brexit pa marrëveshje, thuhet në pjesë të fjalimit të pulikuar nga “Daily Telegraph”. Sipas planeve, provinca e Irlandës Veriore mbetet në një marrëdhënie të veçantë me Europën. Irlanda Veriore do të mbetej deri në vitin 2025 në shumë degë pjesë e tregut të brendshëm europian, pastaj me pjesën tjetër të GB do ta lintë unionin doganor.

Zgjidhja e kompromisit, i ashtuquajturi “Backstop” refuzohet kategorikisht nga kryeministri britanik, Boris Johnson. Këtë kompromis e arriti ish-kryeministrja, Theresa May në Bruksel, por marrëveshja e Brexit u refuzua disa herë nga parlamenti britanik. Që atëherë nga Komisioni Europian dëgjohen gjithmonë ankesa, se nuk po vijnë propozime konkrete nga Londra.

Kryeministri britanik, Boris Johnson në një intervistë për BBC të martën (01.10) tha, se “ne do të bëjmë një ofertë shumë të mirë”. Ai theksoi, se negociatat me BE janë në një “fazë vendimtare”. Ai e refuzoi sërish shtyrjen e vendimit për daljen nga BE më 31 tetor. Johnson pranoi se është një kohë e vështirë për Britaninë e Madhe. “Kjo është një kohë shumë e vështirë për vendin, në kuptimin, që Brexit do të ndodhë, dhe shumë njerëz nuk e duan atë”, tha ai.

Boris Johnson i quajti po ashtu  “si jo shumë të sakta” njoftimet e fundit në media, sipas të cilave, qeveria britanike kërkon t’i ofrojë BE-së propozime të detajuara këtë javë për “qendra të zhdoganimit”, që do të vendosen në të dyja anët e kufirit (por jo në kufi). Sipas raportimeve, kontrollet e doganave do të kryheshin jashtë kufijve të Irlandës dhe Irlandës së Veriut, 8-16 km larg kufirit. Artikujt ushqimorë dhe prodhimet bujqësore do të duhej ta kalonin kufirin pa kontroll. Johnson u distancua nga këto raportime, duke thënë, se ndryshe nga raportohet, qendrat e zhdoganimit përtej kufirit nuk shihen si pjesë e zgjidhjes, shkruan agjencia e lajmeve, AFP.

Heqje kontrollesh apo vetëm zhvendosje e tyre?

Edhe nëse planet për qendra zhdoganimi, do të mbërrinin në Bruksel, përgjigjet nga Brukseli duket se kanë për të qenë të qarta, sepse hapa të tillë nuk i pengojnë kontrollet, por vetëm i zhvendosin ato. Qeveria irlandeze flet që tani për “zhgënjim”. Që pas bërjes publike të njoftimeve të tilla të martën, pati një reagim të menjëhershëm të ministrit të Jashtëm irlandez, Simon Coveney. Ai e quajti këtë ide, “të dështuar”. Irlanda dhe Irlanda e Veriut “meritojnë diçka më të mirë”, shkroi ai në twitter. Ka ardhur koha, që BE të marrë “propozime serioze” nga qeveria e Londrës. Aktualisht nuk ka kontrolle mes dy pjesëve të Irlandës. Nëse kjo ndryshon pas Brexit, ka shqetësime se mund të rindizet sërish konflikti në Irlandën Veriore.

Brexit është temë edhe në kongresin e konservatorëve, Tory në Manchester që përfundon të mërkurën. Ky kongres u errësua nga akuzat e një gazetareje, se Johnson ka ngacmuar seksualisht atë dhe një femër tjetër para 20 vjetësh. Johnson i hodhi poshtë akuzat. DW

Login to post comments