All is well! Missiles launched from Iran at two military bases located in Iraq. Assessment of casualties & damages taking place now. So far, so good! We have the most powerful and well equipped military anywhere in the world, by far! I will be making a statement tomorrow morning.
Irani hodhi më shumë se një duzinë raketash balistike në të paktën dy baza ajrore irakiane që strehojnë trupa amerikane.
Besohet se Irani qëllimisht u përpoq të shmangë viktimat ushtarake amerikane në sulmet e tij me raketa ndaj bazave, sipas burimeve të qeverisë amerikane dhe atyre evropiane.
Burimet e paidentifikuara, që kanë dijeni për vlerësimet e inteligjencës, thanë të mërkurën se iranianët mendohet t’i kenë kalibruar sulmet në mënyrë të tillë që të mos goditeshin forcat amerikane, për të shmangur një shkallëzim të krizës.
Presidenti Trump, shkroi në rrjetin twitter më pas se "Gjithka është mirë! Irani hodhi raketa në dy baza ushtarake në Irak. Është duke u bërë vlerësimi për viktimat dhe dëmet. Deri tani, mirë! Ne kemi ushtrinë më të fuqishme dhe më të pajisur në botë, shumë më tepër se kushdo! Do të bëj një deklaratë nesër në mëngjes."
Ai u takua me ekipin e tij të sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë si dhe me sekretarin e shtetit Mike Pompeo dhe sekretarin e Mbrojtjes, Mark Esper.
Ministri i Jashtëm iranian, shkroi më vonë se Irani ndërmori "masa proporcionale në vetëmbrojtje" duke shënjestëruar një bazë "nga e cila u krye sulmi i armatosur frikacak kundër qytetarëve tanë dhe zyrtarëve të lartë. Ne nuk kërkojmë përshkallëzim ose luftë, por do të mbrohemi nga çdo agresion," shkroi ai.
Sulmi me raketa ishte hapi i fundit në një seri ngjarjesh të dy javëve të fundit në marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Shtetet e Bashkuara fajësuan milicinë e mbështetur nga Irani për një sulm mbi një bazë irakiane gjatë të cilit u vra një kontraktues amerikan.
Shtetet e Bashkuara goditën me sulme ajrore pozicionet e milicisë në Irak dhe Siri, duke nxitur reagimin e qeverisë irakiane dhe protesta para ambasadës amerikane në Bagdad. Të premten një sulm ajror amerikan, vrau Qassem Soleimanin, komandant i trupave Quds të Iranit në afërsi të aeroportit të Bagdadit.
Pentagoni tha se raketat iraniane vunë në shënjestër bazën Al-Asad, rreth 60 kilometra në perëndim të Bagdadit si dhe një bazë në Irbil, pjesë e rajonit gjysmë autonom kurd në Irak.
Rojat Revolucionare Islamike të Iranit lëshuan një deklaratë ku përshëndetën atë që e quajtën një sulm i suksesshëm me raketa ndaj bazave irakiane që strehonin trupa amerikane, duke thënë se kjo ishte një "hakmarrje për vrasjen dhe martirizimin e Qassem Soleimanit," komandantit të trupave iraniane elitë Quds.
Një burim irakian i sigurisë i tha televizionit CNN se në bazën ajrore al-Asad ka patur viktima mes irakianëve, megjithatë nuk dihet nëse fjala ishte për të vrarë apo të plagosur.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha të mërkurën se sulmi me raketa ishte “shuplakë në fytyrën” e Shteteve të Bashkuara, të cilat tha ai, duhet të largojnë trupat e tyre nga rajoni.
Eliot Engel, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, i tha televizionit CNN se "Presidenti dhe ekipi i tij do të ishte mirë të gjenin një mënyrë për të ulur tonet, sepse mund të përfundojmë në një luftë me përmasa të plota."
"Ajo që ne duhet të bëjmë tani është të zbutet retorika nga të gjitha palët dhe ta nxjerrim veten nga kjo situatë," shtoi ai.
Steven David, profesor në universitetin Johns Hopkins, i tha Zërit të Amerikës se mundësitë për zhvillimin e mëtejmë të situatës janë "shumë të frikshme” me dy udhëheqës dhe vende që nuk duan të tërhiqen, dhe që janë të armatosur me të gjitha llojet e armëve fizike dhe kibernetike. Megjithatë ai shpreson se palët do të ulin tensionet për të shmangur mundësinë që situata t’u dalë duarsh.
Forcat amerikane kanë qenë në gatishmëri pas kërcënimeve të Iranit se do të kundërpërgjigjej me sulme si hakmarrje ndaj vrasjes së Soleimanit.
"Ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur personelin amerikan, partnerët dhe aleatët në rajon," tha zëdhënësi i Pentagonit.