VOA: Demokratët kritikojnë vendimin e presidentit Trump për vrasjen e Kasem Soleimanit

E mërkurë, 08 Janar 2020 19:10

Kandidati demokrat për president, Joe Biden, e quajti presidentin Donald Trump të “rrezikshëm dhe jokompetent” pas urdhrit për vrasjen e komandantit ushtarak iranian, Kasem Soleimani. Zoti Biden dhe kundërshtarët e tij demokratë e kritikuan ashpër vendimin e presidentit, duke paralajmëruar për pasoja.

Kandidati demokrat për president Joe Biden, kritikoi presidentin Trump dhe paralajmëroi për pasoja të vendimit për sulmit ku u vra komandanti iranian Kasem Soleimani.

Presidenti Trump nuk ka një strategji, ashtu më duket. Ai nuk ka një plan përfundimtar dhe kjo është e vërteta më e rëndë. Ai vazhdimisht gabon dhe këto vendime u lënë Shteteve të Bashkuara më pak mundësi për të lëvizur përpara”, tha kandidati demokrat për president, Joe Biden.

Zoti Biden tha se presidenti duhet gjithashtu të kërkojë autorizimin e Kongresit për përdorimin e forcës.

“Zoti President, jeni i detyruar të bashkëpunoni me Kongresin. Duhet të veproni në pajtueshmëri me Rezolutën për Kompetencat e Luftës. Nuk mund të nxisni luftë me Iranin pa konsensus dhe miratim të Kongresit”, tha ai.

Edhe rivalët e zotit Biden, si Bernie Sanders, ishin kritikë ndaj veprimeve të presidentit.

“Roli i Shteteve të Bashkuara, sado i vështirë të jetë, është që të punojë me komunitetin ndërkombëtar që konfliktet dhe kërcënimet për luftë të marrin fund, e jo të nxitet lufta siç po bën presidenti Trump”, tha Bernie Sanders, kandidat demokrat për president.

Senatorja Amy Klobuchar, candidate tjetër presidenciale, shprehu po ashtu shqetësim.

“Jam e shqetësuar nga përdorimi i tepruar i forcës nga presidenti dhe nga një vendim që mund të nxisë përshkallëzim të konfliktit”, tha ajo.

Kandidati tjetër demokrat, Pete Buttigieg, nga Ajova foli për sulmin në Irak.

“Të kesh përgjegjësi udhëheqëse në botë, nuk nënkupton të zgjidhësh çdo problem me forcë ushtarake. Duhen përdorur mjetet diplomatike, ekonomike, sociale e informative dhe vetëm kur nuk ka rrugë tjetër përdoren mjetet ushtarake, që të mbrohen interesat dhe vlerat që ne ruajmë dhe ndajmë me të tjerët në botë”, tha Pete Buttigieg, kandidat demokrat për president.

Ndërkaq, presidenti Trump ka vazhduar ta mbrojë vendimin e tij për vrasjen e Soleimanit.

“Ai quhej përbindësh dhe ishte i tillë. Më nuk është përbindësh. Është i vdekur dhe kjo është gjë e mirë për shumë vende”, tha presidenti.

Tensionet me Iranin vijnë pak javë përpara votimeve të para për kandidatin demokrat për president, që mbahen në Ajova më 3 shkurt.

Login to post comments