Ndërsa pacientët shtrihen në dysheme, dhe mjekët bëjnë veshje mbrojtëse me qese plehrash, punonjësit e shëndetit shfaqin zemërimin për reagimin e ngadaltë të qeverisë në Spanjë.
Me kopshtet e saj brendshme, pavionet e zbukuruara dhe zonën e tapeteve të kuqe, qendra e kongresit “Ifema” e Madridit ishte sfondi mbresëlënës që Spanja i tregoi botës dhjetorin e kaluar, kur vendi mori përsipër detyrat e mikpritjes në minutën e fundit për samitin e klimës Cop25.
Javën e kaluar vëmendja ishte përsëri tek ajo, por për një arsye shumë më të zymtë. Ndërsa Spanja bëhet një vatër e nxehtë gjithnjë e më shqetësuese e pandemisë globale, qendra “Ifema” është shndërruar, me ndihmën e Ushtrisë, në një nga spitalet më të mëdha të vendit. Brenda janë mijëra shtretër.
Numri i vdekjeve nga Covid-19 në Spanjë javën e kaluar tejkaloi atë të Kinës dhe tani është vendi i dyti në botë pas Italisë.
Një nga të vdekurit ishte babai i Yolanda Cumia, Juan. Biseda e saj e fundit me të ishte më 16 mars, pasi 87-vjeçari tha që kishte lënduar këmbën pas një rrëzimi në shtëpinë e kujdesit ku jetonte.
Disa orë më vonë, në orën 2 të mëngjesit, telefoni i saj ra përsëri: ishte një anëtar i stafit që i thoshte që babai i saj kishte vdekur.
Disa ditë më parë, dy njerëz në po atë shtëpi kujdesi ishin testuar pozitivë për Covid-19, dhe vrasësi i padukshëm shkeli nëpër atë qendër.
“Ajo më tha:‘Yolanda, ne jemi mbingarkuar. Nga sa di unë, kemi 15 persona të vdekur’”, tha ndërsa tregonte komunikimin me një anëtar të stafit në shtëpinë ku vdiq i ati.
Shtëpia e kujdesit nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Cumia u bashkua me të tjerët në daljen publike me lajmin e vdekjeve në shtëpinë e kujdesit me 130 dhoma, që arritën në të paktën 17 viktima. Të tjerët treguan histori nga i gjithë vendi, me një pamje të mjegullt të një ngjitjeje të numrit të viktimave në shtëpitë e kujdesit të të moshuarve në atë vend, me stafin e pa pajisur me veshje mbrojtëse, si linja e vetme e mbrojtjes.
Qeveria spanjolle iu drejtua Ushtrisë për ndihmë në dezinfektimin e vendbanimeve. Ajo që ata zbuluan tmerroi vendin. “Ushtria ka parë njerëz të moshuar krejtësisht të braktisur – madje disa që kanë vdekur në shtretërit e tyre”, tha ministrja e mbrojtjes e vendit, Margarita Robles.
Zbulimi ishte një goditje për një vend që ka kohë që krenohet me trajtimin e mirë të të moshuarve të tij.
“Kjo është gjenerata që jetoi përmes një lufte të tmerrshme civile dhe epokës së pasluftës”, tha Cumia. “Dhe tani ata po vdesin vetëm”.
Në disa qytete, rritja e rasteve e ka lënë sistemin e kujdesit shëndetësor të vendit – të renditur në mesin e 20 më të mirëve në botë – në buzë të kolapsit, mbrojtjet e tij tashmë u dobësuan nga masat shtrënguese që fshinë miliarda nga buxheti i tij.
“Spitali im mendohet të ketë rreth 265 shtretër, dhe sot ka 700 pacientë”, tha doktoresha Ana Gimenez nga spitali “Infanta Leonor” i Madridit.
“Qindra njerëz janë ulur në karrige ose janë shtrirë në dysheme … të gjitha spitalet në Madrid janë absolutisht të mposhtur”.
Situata përkeqësohet nga mungesa e mjeteve mbrojtëse.
“Ne nuk kemi asgjë. Ne nuk kemi maska, nuk kemi doreza, nuk kemi veshjet e papërshkueshëm nga uji. Ne nuk kemi asgjë”, tha ajo,
“Ne jemi të zhveshur kundër koronavirusit”.
Ndërsa spanjollët kalojnë kohë çdo natë në dritaret dhe ballkonet e tyre për të duartrokitur përpjekjet e punonjësve të kujdesit shëndetësor, qeveria ende premton se furnizimet janë në rrugë e sipër. Ndërkohë, janë përhapur “zgjidhje”, me punonjësit e kujdesit shëndetësor që ndajnë foto të qeseve të plehrave të shndërruara në veshje mbrojtëse.
“Është për t’u çuditur”, tha Gimenez, “që punonjësit e kujdesit shëndetësor në Spanjë përbëjnë 9,444 nga të infektuarit e vendit… Shumë njerëz pyesin nëse ata padashur po veprojnë si vektorë për virusin. Nuk jam e sigurt nëse po infektoj familjen time, nëse po infektoj kolegët e mi”, tha Gimenez, e cila kishte simptoma të gripit rreth 10 ditë më parë.
Ajo ende nuk ka pasur mundësi të bëjë një test, por eprorët e saj – duke u përpjekur për të përmbushur nevojat e një sistemi që po rënkon – “i kanë porositur njerëzit me simptoma të buta që të vazhdojnë të punojnë”, tha ajo, “Kjo nuk është vetëm një epidemi e sëmundjes, por është një epidemi e një qeverisjeje vërtet të keqe”.
Qeveria Spanjolle ishte kritikuar për reagimin e ngadaltë, duke lejuar mitingje politike, lojëra futbolli dhe koncerte edhe pasi Franca fqinje i ndaloi tubimet e mëdha publike.
Një vonesë në mbylljen e bllokimit lejoi qytetarët e Madridit të dilnin masivisht nga qyteti, duke përhapur virusin në brigjet dhe zonat rurale, ndërsa të tjerët u dyndën në supermarkete për të mbledhur furnizime.
“Pasojat e këtyre vendimeve kanë rënë mbi punonjësit e kujdesit shëndetësor, duke i detyruar ata në disa raste të bëjnë zgjedhjet më të vështira të karrierës së tyre”, tha Gimenez, duke rrëfyer histori të mjekëve që peshojnë mundësinë e mbijetesës së pacientëve në ndarjen e ventilatorëve.
“Shumica prej nesh, çdo ditë e përfundojmë turnin dhe kthehemi në shtëpi duke qarë”.
Në fillim të këtij muaji, sindikata e Gimenez, “Amyts”, e cila përfaqëson mjekët në Madrid, filloi të ofrojë terapi falas për punonjësit e kujdesit shëndetësor. “Çdo ditë, një nga kolegët e mi thotë: dje vdiq nëna ime… dje vdiq vëllai im”.
Në Igualada, afër Barcelonës, zyrtarët po luftojnë me një nga shpërthimet më vdekjeprurëse në botë, lufta e tyre shoqërohet nga raporte të vazhdueshme të miqve dhe familjarëve të prekur.
Në një zonë, shkalla e vdekjeve ditore ishte rreth 63.1 për 100,000 banorë – duke tejkaluar atë 27.9 të Madridit dhe atë të Lombardisë së Italisë veriore, sipas autoriteteve katalaneze.
Zona hyri në bllokim disa ditë para pjesës tjetër të Spanjës, me policinë që ndaloi banorët të largoheshin nga shtëpia, përveç për punë thelbësore. “Nuk ka asnjë territor tjetër që është i bllokuar ashtu si jemi ne”, tha kryetari i bashkisë, Marc Castells.
Një grup rastesh në spitalin lokal e detyruan personelin të hyjë në karantinë dhe shtrënguan sistemin tashmë me probleme. Nga 508 raste të zonës, 140 janë punonjës të kujdesit shëndetësor. Me ndihmën e bamirësve nga “Mjekët pa Kufij”, zyrtarët po punojnë për shndërrimin e një qendre sportive në një spital fushor me 100 shtretër.
Është një situatë që Castells nuk e mendoi kurrë që do të ndodhte te ai ose qyteti i tij, teksa shikonte që virusi filloi egërsinë e tij vdekjeprurëse në Azi në fund të vitit të kaluar. “Është shumë për të menaxhuar, por ne nuk mund të dorëzohemi”, tha ai, “Siç më pëlqen të them, ne nuk jemi në një pus. Jemi në një tunel. Ne mund të mos jemi në gjendje ta shohim daljen tani, por do të ketë një dritë në fund”.
The Observer/The Guardian/PANORAMA