Nju Jork, spitali fushor do të ngrihet në parkun e famshëm

Hënë, 30 Mars 2020 18:58

Sistemi i mbingarkuar shëndetësor i qytetit të Nju Jorkut do të ndihmohet disi nga mbërritja e anijes spitalore të marinës ushtarake që do të ofrojë kujdes të përgjithshëm shëndetësor, si dhe nga ngritja e një spitali fushor që do të trajtojë rastet e të infektuarve me koronavirusin.

Spitali fushor me kapacitet prej 68 shtretërish do të ngrihet në parkun e famshëm të qytetit, Central Park.

Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, tha se spitali pritet të fillojë punën të martën.

Ky projekt po mbështetet nga grupi i krishterë i ndihmave ndërkombëtare "Samaritan's Purse".

Kjo organizatë tha se një ekip doktorësh dhe infermieresh do të vendoset në këtë pikë dhe do të kujdesen për pacientët me koronavirus që po trajtohen deri më tani brenda sistemit të kujdesit shëndetësor "Mount Sinai Health System".

Kjo organizatë e krishterë mban në funksionim një objekt të ngjashëm spitalor në Italinë e goditur rëndë nga virusi.

Qyteti i Nju Jorkut ka mbi 33 mijë raste të konfirmuara me koronavirus, si dhe rreth 800 viktima deri më tani. VOA

Login to post comments