Në Shqipëri afro 15 përqind e personave që kanë rezultuar pozitiv ndaj Covid 19 janë pjesë e personelit mjekësor në disa spitale të vendit. Autoritetet bënë të ditur sot se janë 32 mjekë dhe infermier të prekur, nga të cilët 8 prej tyre janë deklaruar tanimë të shëruar, por ata do të duhet të vijojnë me vetkarantinimin për një periudhë 14 ditore. Mes mjekëve të infektuar është Drejtori i Urgjencës kombëtare Skënder Brataj si dhe Drejtoresha e Operatorit të shërbimit të kujdesit shëndetësor, Mirela Cami, e cila ndodhet në vetizolim.
Autoritetet shëndetësore njoftuan sot se ka ndërruar jetë prej koronavirusit një pacient 79 vjeçar nga Tirana, i shtruar para një jave në Spitalin Infektiv, duke e çuar në 11, numrin e personave të vdekur në Shqipëri nga COVID-19.
Në Spitalin infektiv janë 74 pacientë të shtruar nga të cilët 7 janë në terapi intensive, prej të cilëve, 4 janë të intubuar. Spitali “Shefqet Ndroqi” është spitali i dytë COVID-19, i cila deri më tani ka vetëm një pacient të shtruar.
Në 24 orët e fundit u konfirmuan edhe 11 persona të tjerë të prekur, të cilët u zbuluan nga 90 teste të reja. Në total, numri i të infektuarve u ngjit në 223 raste, nga 1526 teste për raste të dyshuara.Zyrtarët njoftuan për 4 persona të shëruar në 24 orët e fundit dhe gjithsej janë 44 persona janë të shëruar pas dy testeve të njëpasnjëshme të kontrollit.
Drejtuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico tha se qytetet më të prekura janë Tirana, me 124 raste, ose 60 përqind të totalit, e pasuar nga Fieri me 23 raste dhe Durrësi e Korça me nga 14 raste secila. Në total janë 16 qytetet ku janë rregjistruar raste të personave me COVID 19. "Për rastet e zbuluara, po kryhet hetimi epidemiologjik dhe po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit” - tha zonja Fico.
Forcat e rendit dhe ushtrisë vazhdojnë të ndëshkojnë shoferë dhe këmbësorë, që kanë shkelur urdhërin e ndalim qarkullimit.
Policia ka bllokuar disa dhjetëra automjete dhe u ka hequr patentat shoferëve, ndërsa disa dhjetëra këmbësorë I dënuar me gjoba nga 100 deri në 200 dollarë, të cilët qarkullonin pa arsye të ngutshme në rrugë, lulishte e parqe, pasi shkelën urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në zona të gjelbra, në zona urbane dhe mjedise publike të hapura.
Duke filluar nga kjo e hënë, nuk do të lejohet më asnjë këmbësor të dalë për shtëtije, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë. Janë duke u ndëshkuar edhe ato njësi tregtare që nuk mbyllin dyert në oraret e përcaktuara.
Banorët kaluan fundjavën e dytë plotësisht e mbyllur për mbi 40 orë, kur policia ndaloi të gjitha format e qarkullimit në mjedise të hapura dhe nga ky fillim jave qytetarët duhet të marrin leje online për të dalë nga banesa, duke treguar shkaqet dhe adresat e lëvizjeve. VOA