Ndërkohë që pandemia po shkakton dëme kolosale në popullsi dhe ekonomi nëpër botë, po rritet presioni ndaj kreut të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Etiopiani është akuzuar edhe më herët për qasjen e tij ndaj Kinës në këtë situatë të vështirë.
Senatorja amerikane, Martha McSally tha se ai duhet të japë dorëheqjen për shkak të mënyrës se si e ka menaxhuar krizën dhe për shkak se OBSH e ka fshehur dështimin e Kinës për të kufizuar virusin.
“Nuk i kam besuar kurrë një komunisti. Dhe mashtrimet e tyre për virusin kanë shkaktuar vdekje të panevojshme në Amerikë dhe në botë. Mendoj se dr. Tedros duhet të japë dorëheqjen”, tha ajo.
Më herët një tjetër senator kërkoi që Kongresi të hetojë rolin e OBSH në ndihmën ndaj Kinës për të fshehur kërcënimin nga koronavirusi.
Në janar, OBSH deklaroi se nuk ka të dhëna se virusi transmetohet nga njeriu te njeriu, duke i bërë jehonë pretendimeve të Kinës.