Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka kaluar natën e dytë në kujdes intensiv, në spital, ku ndodhet i shtruar prej mbrëmjes së të dielës, për shkak se gjendja e tij u përkeqësua nga koronavirusi.
Johnson është diagnostikuar me koronavirus më 27 mars, por u shtrua në spital vetëm dy ditë më parë, pasi i thanë mjekët se gjendja e tij nuk ishte e mirë dhe shenjat e COVID-19 nuk ishin larguar. Kryeministri po mbahet në spitalin St Thomas të Londrës “për monitorim të afërt”, tha Qeveria britanike.
Zëdhënësi i Johnsonit tha se gjendja e tij “është stabile”.
Mbretëresha britanike, Elizabeth II, i ka dërguar mesazh familjes dhe partneres së tij, duke thënë se ata janë në mendimet e saj.
Sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab, i cili po e zëvendëson Johnsonin, tha se është i bindur se kryeministri do të shërohet.