1.Nga Angus Deaton/ Personat me një status më të lartë janë më të shëndetshëm dhe jetojnë më gjatë. Sidoqoftë, pandemia e koronavirusit duket sikur po bën një përjashtim nga rregulli – është një infeksion me mundësi të barabarta që nuk shmang liderët botërorë, politikanë të moshuar dhe të famshëm. Ashtu si bursat e aksioneve, ai godet njësoj kuletat, si dhe mushkëritë.
Kompanitë e kujdesit shëndetësor po punojnë shumë për të zhvilluar teste, t’i ofrojnë ato falas dhe të investojnë në zhvillimin e shpejtë të një vaksine. Në SHBA, një industri jashtëzakonisht e shtrenjtë po shfaq një fytyrë të saj më të mirë. Në Mbretërinë e Bashkuar, Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë i financuar keq, po lufton me një vërshim të rasteve.
Ndoshta Covid-19 do të zhbëjë pabarazinë në rritje të dekadave të fundit. Nëse po, këto efekte të virusit nuk ka gjasa të zgjasin në kohë. Dëshmitë historike nga epidemitë e mëhershme tregojnë se, në fazat e para, kur sëmundjet janë të reja ose të pakuptuara sa duhet, të pasurit dhe të pushtetshmit nuk përjashtohen. Me kalimin e kohës, kjo gjë ndryshon.
Në Anglinë e hershme moderne, murtajat dhe sëmundjet epidemike ishin një mallkim i shpeshtë. Jetëgjatësia luhatej fort, duke u shkurtuar tej mase kur përhapej lija ose murtaja në të gjithë vendin. Jetëgjatësia në lindje ishte e njëjtë në vitin 1800, me atë që kishte qenë në vitin 1550.
Për shumicën e kësaj kohe, aristokracia nuk ishte më mirë; dukët dhe familjet e tyre jetonin afërsisht po aq kohë (ose më pak) sa qiramarrësit, punëtorët dhe shërbëtorët e tyre. Askush, i pasur apo i varfër, nuk e kuptoi se si ta shmangte murtajën dhe as si t’i mbrohej nga lija.
Një ndryshim kyç erdhi me variolimin – një formë e hershme e mbrojtjes kundër lisë së dhenve – dhe më vonë me vaksinimin. Inokulimi u përhap në radhët e shoqërisë, duke filluar nga familja mbretërore. Ai gjeti rrugën drejt popullatës së përgjithshme shumë më vonë dhe më ngadalë.
Dukët filluan të jetonin më gjatë në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të, por rritja moderne e jetëgjatësisë së përgjithshme nuk filloi deri në vitet 1850. Të pasurit dhe të pushtetshmit ishin tashmë më mirë, sepse kishin kuptuar çfarë të bënin – ose dikush e kuptoi për ta. Që atëherë, shëndeti më i mirë i të pasurve është i dokumentuar në anekdota dhe në të dhëna kombëtare. Gurët e varreve në një varrezë të Glasgout janë më të mëdhenj dhe më të dukshëm, kur datat tregojnë se i ndjeri apo e ndjera arriti pleqërinë. Vitet e fundit, ndërsa jetëgjatësia e pritshme pësoi rënie, vdekshmëria në Angli u rrit në zonat më të privuara të veriut, dhe ka rënë në juglindjen më të pasur.
Amerikanët e sotëm në 40-at jetojnë më shumë se 15 vjet më gjatë, nëse deklaratat e tyre tatimore tregojnë të ardhura që i bëjnë pjesë të 1 përqindëshit në majë të piramidës së të pasurve, në krahasim me ata që janë në 1 përqindëshin në fund të kësaj. Piramide.
Që nga mesi i viteve 1990, hendeku arsimor në epokën e vdekjes është zgjeruar. Ajo që Anne Case dhe unë e kemi quajtur “vdekje të dëshpërimit” nga vetëvrasja, mbidoza e drogës dhe sëmundjet alkoolike të mëlçisë u rritën në SHBA, nga 65,000 në 1995 në 150,000 në 2018, nxitur edhe nga përdorimi i gjerë dhe abuzimi me OxyContinën dhe opioidet. e tjera. Pothuajse e gjithë rritja ka qenë në mesin e amerikanëve më pak të arsimuar. Një diplomë kolegji katër vjeçare ka qenë një çertifikatë gati e pagabueshme përjashtimi nga kjo.
Gjatë së njëjtës periudhë, një rritje gjashtëfish në çmimet e aksioneve të matura nga S&P 500 u ka sjellë përfitime shumë më të mëdha amerikanëve më të pasur, të cilët kanë më shumë të ngjarë të zotërojnë kapitale dhe aksione, direkt ose përmes planeve të pensioneve. Ndërkohë, të ardhurat mesatare për orë për punëtorët e zakonshëm, të përshtatura me inflacionin, janë vetëm pak mbi nivelet e viteve 1970.
A do t’i zhbëjë pandemia e koronavirusit këto tendenca? Të dhënat janë vetëm pjesërisht të disponueshme. Testimi në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar ka qenë i pamjaftueshëm.
Ndoshta coronavirusi sot është si lija e dhenve ose murtaja bubonike në Evropë përpara se ato sëmundje të kuptoheshin mirë dhe të bëheshin të shërueshme. Ky virus është i ri, askush nuk ka imunitet dhe përveç izolimit të vetvetes, ne jemi gati po aq të pashpresë sot, sa edhe qyteti italian i Pistoias në vitet 1630-31, kur mbylli portat kundër murtajës së egër dhe dëboi të huajt. Sigurisht, tregtarët me sytë nga paratë vazhdonin të këmbëngulnin për hapjen e përkohshme për të gjithë të ardhurit, me qëllim lehtësimin e eksportit të verës. Disa drejtues të bizneseve po bëjnë njësoj presion për t’i dhënë fund më herët distancimit social.
Por 400 vjet kanë bërë ndryshime të mëdha. ARN-ja e koronavirusit u deshifrua shpejt – nuk do të na duhet të presim qindra vjet për një vaksinë ose një trajtim. Megjithatë, shanset janë që pasi të dimë se si ta kontrollojmë, jo të gjithë do të përfitojnë në mënyrë të barabartë. Unë jam ndoshta shumë cinik, por dyshoj se pasi të ketë mbaruar pandemia, prodhuesit dhe spitalet e SHBA do të jenë më të fuqishëm dhe më të pasur se kurrë.
Ndoshta jo. Nëse amerikanët janë të zemëruar nga akuzat për trajtim, apo për trajtimin prferencial që u bëhet pak njerëzve, ata të paktën mund të kërkojnë kontroll komunitar mbi kujdesin shëndetësor. Në Mbretërinë e Bashkuar, zemërimi për dëmin që i është bërë NHS prej vitesh të tëra bashkimi shërbimesh për të rritur efiçencën, do ta bëjë më të vështirë për të financuar shërbimin – të paktën për pak kohë.
Autori, fitues i çmimit Nobel ka shkruajtur bashkë me Anne Case librin: “Vdekje nga dëshpërimi dhe e ardhmja e Kapitalizmit” / FT – Bota.al