Shteti i Nju Jorkut, epiqendra e krizës së koronavirusit në Amerikë, vendosi këtë të mërkurë një tjetër rekord një-ditor të vdekjeve nga Covid-19.
Mjekët dhe infermierët kanë shprehur habi për faktin sesi ka mundësi që virusi vdekjeprurës përhapet me një shpejtësi kaq të madhe në këtë shtet të SHBA-ve
Pikërisht të mërkurën, vetëm në shtetin e Nju Jorkut, numri i të infektuarve me koronavirus arriti në 150 mijë persona të infektuar.
Autoritetet madje thonë se numri i vdekjeve nga Covid–19 mund të jetë edhe më i madh, për shkak se në listë nuk përfshihen viktimat, që ndërruan jetë në banesë.
“Cdo numër është një fytyrë”, tha guvernatori i Nju Jorkut, Andreu Cuomo, që shtoi se ka urdhëruar që të ngrihen flamuj amerikanë në gjysmë shtizë në të gjithë shtetin nju-jorkez, në nderim të viktimave nga koronavirusi. “Ky virus sulmoi të prekurit dhe sulmoi të dobëtit, dhe është detyra jonë si shoqëri të mbrojë të dëmtuarit”, tha guvernatori.
Mjekët dhe infermierët shprehen se pacientët e moshuar dhe ata me probleme të theksuara shëndetësore nuk janë të vetmit që mund të kenë probleme serioze me Covid-19, por edhe të rinjtë e adoleshentët. Një infermiere në Spitalin e Mount Sinai Diana Torres thotë se pacientët fillimisht vijnë vetëm me disa simptoma dhe më pas vazhdojnë që të ndihen aspak mirë.
Të mërkurën, në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë konfirmuar gati 430 mijë raste me koronavirus, kurse nga Covid-19 janë regjistruar 14 700 vdekje.