Ekspertët e lartë të Shëndetit në Shtetet e Bashkuara po shprehin optimizëm se përhapja e koronavirusit në vend po ngadalësohet.shba
“Në mes të tragjedisë, ka shpresë,” tha zyrtari i lartë i shëndetësisë, Jerome Adams në një postim në Twitter.
Ai tha se shtetet perëndimore të Kalifornisë dhe Uashingtonit “mbeten të qëndrueshme” sa i përket numrit të rasteve të reja.
Adams tha se numri i infektimeve në Nju Jork dhe Nju Xhërsi në lindje të Shteteve të Bashkuara dhe qytetet e Detroit në pjesën qëndrore dhe Nju Orlinsit në jug “duket se po nivelizohet”.
“Distancimi shoqëror dhe masat kufizueze po funksionojnë. Po shohim një dritë në fund të këtij tuneli të errët,” tha Adams, pasi ai u bëri thirrje amerikanëve të vazhdojnë të mbajnë një distancë të pakten prej dy metrash larg njëri-tjetrit.
Doktor Robert Redfield, Drejtor i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha për emisionin “Today” të kanalit NBC se, “Ne po i afrohemi pikut tani. Shpresoj këtë javë. Ju e dini që keni arritur pikun kur në një ditë në të vërtetë ka më pak raste së në ditën e mëparshme. Ne jemi duke u stabilizuar në të gjithë vendin tani për sa i përket përhapjes (së virusit).”
Por Redfield, ashtu si zyrtarët e tjerë të shëndetit, shprehu shqetësime për rihapjen e vendit më 1 maj, datë që po shqyrtohet nga Presidenti Trump.
Dr. Anthony Fauci, Drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, tha të Dielën se ekziston një “rrezik i jashtëzakonshëm” i përhapjes së mëtejshme të koronavirusit nëse Shtetet e Bashkuara i kthehen normalitet shumë shpejt.
“Nuk ka dyshim se ne duhet të rihapemi në mënyrë duhet,” për të shmangur një ringjallje të koronavirusit në korrik dhe gusht, tha Redfield. “Do të jetë një proces hap pas hapi, gradual. Duhet të jetë një proces i bazuar në të dhëna”.
Vlerësimi i tyre erdhi ndërsa numri i të vdekurve në Shtetet e Bashkuara vazhdon të rritet, duke arritur në 22,000, me 558,000 raste të konfirmuara.
Redfield tha se shkalla e vdekshmërisë, “megjithëse për fat të keq është ende shumë e lartë, ajo doli të jetë shumë më e ulët sesa e parashikonim” për shkak të distancimit shoqëror. VOA