Bisedimet për një plan të rimëkëmbjes së BE-së pas koronavirusit po përparojnë, tha presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili mbërriti në Holandë sot në mbrëmje, për të biseduar me kryeministrin holandez, Mark Rutte.
“Të dy ne besojmë në këtë solidaritet që e bën Europën tonë”, tha Emmanuel Macron në Twitter, para takimit të tij me Mark Rutte-n.
“Nga tani deri në Këshillin Europian të korrikut, ne duhet të bindim partnerët tanë mbi bazën e kësaj marrëveshje franko-gjermane. Bisedimet po përparojnë dhe të gjithë duhet të dëgjohen”, shtoi ai.
Udhëheqësit europianë janë angazhuar për të rënë dakord përpara fundit të korrikut për një plan masiv rimëkëmbjeje të BE-së.
Holanda është një nga katër vendet, së bashku me Austrinë, Suedinë dhe Danimarkën, që janë shumë të rezervuara në lidhje me këtë projektplan, aktualisht i fiksuar në 750 miliardë euro, nga i cili do të përfitojnë kryesisht vendet jugore, më të prekura nga kriza COVID-19.