Presidenti Recepp Tayip Erdogan njoftoi të mërkurën se Turqia do të miratojë rregullore për të kontrolluar platformat e mediave sociale ose për mbylljen e tyre.
Presidenti tha se është i vendosur t’i verë në jetë planet e qeverisë pasi familja e tij ishte fyer në këto platforma online.
Ministri i Financave, Berat Albayrak, dhëndërr i Erdoganit tha të martën në Twitter se ishte bërë me fëmijën e katërt. Por gruaja e tij, Esra, ishte fyer nga disa përdorues të rrjeteve sociale, të cilët më vonë ishin ndaluar, sipas Ministrit të Brendshëm Suleyman Soylu.
Duke folur me anëtarët e Partisë së tij AK, Erdogan përsëriti se partia do të paraqiste rregullore të reja për të kontrolluar përdorimin e mediave sociale, duke shtuar se një rritje e "veprimeve imorale" në platformat online vitet e fundit vinin për shkak të mungesës së rregulloreve.
"Këto platforma nuk i përshtaten këtij vendi. Ne duam t'i mbyllim, t’i vëmë nën kontroll, duke sjellë në parlament (një projekt-ligj) sa më shpejt të jetë e mundur," tha ai.
Zoti Erdogan tha se kompanitë e mediave sociale do të detyrohen të emërojnë përfaqësues në Turqi për t'iu përgjigjur kërkesave ligjore, që ai tha se aktualisht nuk përfillen.
"Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që është e nevojshme që platformat e mediave sociale të kenë përfaqësim financiar dhe ligjor në vendin tonë. Pas nxjerrjes së rregulloreve, do të vendosim masa ndaluese dhe ndëshkime ligjore dhe fiskale," tha Erdogan.
Në muajin prill, Partia AK përfshiu ndëshkime të ngjashme për mediat sociale në një projektligj që kryesisht synonte masat ekonomike për të frenuar koronavirusin.
Më vonë, masat u hoqën nga projektligji, por opozita shprehu shqetësimin se ato do të riktheheshin në rendin e ditës.
Ankaraja e kontrollon me rreptësi përmbajtjen e mediave sociale, veçanërisht gjatë periudhave të tilla si operacionet ushtarake apo pandemia e tanishme e koronavirusit.
Turqia e kritikoi ashpër Twitter-in në muajin qershor, për shkak se kompania pezulloi më shumë se 7,000 llogari që mbështesnin zotin Erdogan. Ankaraja tha se Twitteri po shpif ndaj qeverisë dhe po përpiqet të ndryshojë drejtimin politik të vendit.