Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shprehu optimizmin e tij se SHBA-ja do të dalë së shpejti me një vaksinë kundër koronavirusit, duke thënë se tre kërkues të tyre “duken vërtet, vërtet mirë”.
“Mendojmë se do ta kemi shpejt”, tha Trump në një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë, por pa dhënë detaje të tjera.
Komentet vijnë kur numri i të infektuarve me koronavirus brenda një dite në SHBA ka kaluar 50,000 për herë të parë.
Kjo duket se ka ndryshuar edhe qëndrimin e presidentit Trump, në lidhje me maskat mbrojtëse. “Mendoj se maskat janë të mira”, tha Trump për Fox Business.
“Njerëzit më kanë parë me maskë”, shtoi ai.
Trump është kritikuar për rezistimin e tij ndaj veshjes së maskës.
Por, me rritjen e numrit të rasteve në ditët e fundit, ai tha: “Nëse do të isha në një situatë të ngushtë me njerëz, unë do të vishja absolutisht”.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve dhe viktimave me koronavirus: mbi 2.7 milionë, përkatësisht mbi 128,000.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë infektuar mbi 10.7 milionë njerëz.
Prej tyre, mbi 517,000 kanë vdekur dhe mbi 5.5 milionë janë shëruar.
Javën e kaluar, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se nuk ka garanci se shkencëtarët do të mund të zbulojnë një vaksinë efektive kundër Covid-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi.