Rreth 4 000 vullnetarë janë regjistruar si subjekt për një studim të vaksinimit kundër koronavirusit, në Spitalin Universitar gjerman të Tuebingenit.
“Është një situatë e vërtetë luksi, ndryshe nga provat e zakonshme klinike”, tha drejtori i studimit, Peter Kremsner.
“Normalisht, ne kemi pasur probleme për paraqitjen e vullnetarëve”, theksoi ai.
Një studim klinik filloi në klinikën universitare në mesin e qershorit për të provuar tolerancën e një vaksine të zhvilluar nga kompania bio-farmaceutike ”CureVac”.
Që atëherë, rreth 50 njerëz kanë marrë këtë vaksinë.
Sipas Kremsner, asnjë efekt anësor nuk ka ndodhur ende.
”Deri më tani gjithçka ka qenë në rregull”, tha Kremsner, duke shtuar se studimi nuk kishte zbuluar ndonjë gjetje të bujshme apo shqetësuese.
Jo të gjithë vullnetarët do të jenë në gjendje të marrin pjesë. Gjithsej 168 subjekte do të vaksinohen.
”CureVac” është duke punuar në të ashtuquajturat vaksina të mRNA. mRNA është një lloj molekulë që përmban udhëzimet e ndërtimit për prodhimin e proteinave.