Presidenti francez, Emmanuel Macron premtoi sot 100 miliardë euro shtesë për rimëkëmbjen e ekonomisë së Francës, e prekur nga kriza shëndetësore dhe kërkoi që mbajtja e maskës të bëhet e detyrueshme në vendet e mbyllura publike për të parandaluar një valë të dytë.
Më poshtë vijojnë disa nga pikat e një interviste të rrallë televizive me rastin festës kombëtare.
– Plani i rimëkëmbjes prej 100 miliardë eurosh
Plani për rimëkëmbjen e ekonomisë franceze do të jetë në vlerën e 100 miliardë eurove, përveç 460 miliardë eurove të premtuara tashmë në masa sektoriale dhe mbështetje për ekonominë që nga fillimi i epidemisë, njoftoi Emmanuel Macron.
– Të rinjtë, prioritet i planit të rimëkëmbjes
Qeveria do të vendosë një dispozitiv të jashtëzakonshëm për të rinjtë në mënyrë që të inkurajojë punësimin e punonjësve me kualifikime të ulëta. Kjo masë, që synon ta bëjë rininë përparësinë e këtij plani rimëkëmbjeje është “e jashtëzakonshme sepse do të zgjasë një deri në dy vjet.
– Maska në vendet e mbyllura
Franca do të bëjë të detyrueshme mbajtjen e maskës në të gjitha vendet e mbyllura publike për të frenuar epideminë e koronavirusit të ri që po tregon shenja të rishfaqjes, theksoi sot presidenti francez, Emmanuel Macron.
“Do të dëshiroja që maskën ta bëjmë të detyrueshme në të gjitha vendet e mbyllura publike”, deklaroi ai në një intervistë televizive duke përmendur datën 1 gusht për zbatimin e kësaj mase.
– Kundër nacionalizmit shëndetësor
“Franca do të bëjë pjesë mes vendeve të para që do të përfitojë nga një vaksinë kundër koronavirusit, por do të ishte absurd një nacionalizëm shëndetësor i mundshëm”, theksoi Macron.
– Rikthimi në shkolla, pothuajse normal
“Rikthimi i 12 milionë studentëve francezë në shtator do të jetë pothuajse normal”, theksoi Emmanuel Macron duke nënvizuar nevojën për të mbështetur fëmijët që kanë vuajtur më shumë nga karantinimi.
Por nëse do të ketë një përshpejtim të virusit gjatë muajit gusht, do të duhet të rishikojmë këtë fillim të vitit shkollor”.
– Reforma e pensioneve
“Ne nuk do të heqim dorë nga reformimi i sistemit tonë të pensioneve për ta bërë atë të zbatueshëm. Sidoqoftë, kjo reformë “nuk mund të bëhet siç ishte para krizës së COVID-19”.
– Jo rritje taksash
“Ekziston një trajektore fiskale që është vendosur, votuar nga përfaqësia kombëtare, është ajo që do të mbahet.
– Moderim i dividentëve
Emmanuel Macron bëri thirrje për “moderim të dividentëve” nga ana e kompanive që u kërkuan punonjësve të tyre t’u ulnin pagat.
“Nëse ne u themi punonjësve të bëjnë një përpjekje, aksionari duhet të bëjë një përpjekje gjithashtu”.
Përfshirja e klimës në Kushtetutë
Emmanuel Macron dëshiron të përfshijë sa më shpejt të jetë e mundur luftën kundër ngrohjes globale në Kushtetutë, një kërkesë e bërë nga Konventa e Qytetarëve për klimën.//ATSH