Italia hyn në muajin e tretë radhazi pa një qeveri të premten ndërsa partitë politike dështuan të thyenin impasin paszgjedhor që tani duket se do të çojë në zgjedhje të reja, deri në fund të vitit.
Dy muaj pas zgjedhjeve të papërmbyllura të marsit që çuan në ngërç politik, presidenti Sergio Mattarella ka kërkuar një raund të ri konsultimesh në një përpjekje të fundit për t’i bërë partitë të bien dakord për të krijuar një qeveri.
Të hënën, tre forcat kryesore politike do të kenë vetëm një ditë kohë për të lënë mënjanë dallimet dhe për të dalë me një zgjidhje pasi dy mandate eksploruese më herët nuk dhanë rezultate.
Zgjedhjet e 4 marsit, panë një koalicion të udhëhequr nga Lega Nord, parti e ekstremit të djathtë, të merrte numrin më të madh të votave, 37 %, dhe lëvizjen populiste pesë yjet të shfaqej si partia më e madhe e vetme me 33 për qind.
Partia Demokratike e qendrës së majtë, e përçarë thellë, regjistroi një nga performancat më të këqija të saj, me vetëm 18 për qind. Pas një fillimi premtues, marrëdhëniet mes Mateo Salvinit, lider i Lega Nord dhe Luigi di Maio, të Lëvizjes Pesë Yjet, u dëmtuan pas këmbënguljes së këtij të fundit që Salvini të braktiste partnerin e tij të koalicionit, ish-kryeministrin Silvio Berluskoni, i cili e ka të ndaluar të marrë poste publike.
Ndërkohë, bisedimet mes rivalëve të hershëm, Lëvizjes Pesë Yjet dhe Partisë Demokratike, nuk mund të çonin askund, kur një tjetër ish-kryeministër, Matteo Renzi, që ende ka shumë ndikim në partinë e tij, tha se nuk do të mbështeste një qeveri të udhëhequr nga Pesë Yjet.
Aktualisht, Partia Demokratike kryesohet nga Martina Maurizio, por duket se ajo nuk do të jetë në gjendje të nisë bisedime zyrtare me Di Maion. Nëse bisedimet e të hënës do të dështojnë, presidenti italian do të kërkojë një qeveri tranzicioni duke përzgjedhur sipas gjasave vetë një lider, që do ta drejtonte vendin deri pas zgjedhjeve të reja. /tch/