Një shpërthim i fuqishëm në një xhami të mbushur me besimtarë ka lënë 12 të vdekur në Afganistan dhe ka plagosur mbi 33 të tjerë.
Sulmi pasoi rrëmbimin disa orë më parë të shtatë inxhinierëve, shumica shtetas indianë, nga persona të panjohur.
Shpërthimi ndodhi në provincën Khost, në kufi me Pakistanin. Shefi i policisë lokale konfirmoi numrin e viktimave për Zërin e Amerikës dhe shtoi se xhamia po shërbente edhe si qendër për regjistrimin e votuesve.
Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por ky nuk është i vetmi incident që ka goditur qendra për regjistrimin e votuesve. Muajin e kaluar në Kabul 60 vetë u vranë, mbi 100 të tjerë u plagosën në një qendër për shpërndarjen e kartave të identifikimit të votuesve. ISIS mori përgjegjësinë për sulmin e Kabulit.