Udhëheqësit politikë të Italisë kanë rënë dakord për krijimin e një koalicioni, duke i dhënë fund ngërçit politik që vijonte prej zgjedhjeve të fillimit të marsit.
Kreu i “Lëvizjes 5 yjet”, Luigi di Maio thotë se tashmë është arritur marrëveshja me “Lega Nord”-in e ekstremit të djathtë.
Një ditë më parë, Di Maio tha se negociatat vazhdojnë në lidhje me përcaktimin e emrit që do të vendoset në krye të koalicionit të ardhshëm.
Palët do të takohen tashmë me presidentin Sergio Mattarella. Ai kishte vendosur një ultimatum të dielën, për t’i dhënë fund ngërçit politik që erdhi si rezultat i zgjedhjeve pa asnjë fitues të qartë.
Udhëheqësi i “Lega Nord”, Matteo Salvini, dhe homologu i tij nga “Lëvizja 5 yjet” kanë thënë mbrëmjen e së dielës se akordi mbi programin thuajse është arritur, pavarësisht se kanë shkelur premtimin e bërë para presidentit për formalizimin e marrëveshjes brenda së dielës mbrëma.
Pikëpyetja e madhe mbetet tani emri i kryeministrit të ri, në krye të një qeverie mes Lega Nord dhe “5 yjeve”, e deri më tani kanë qarkulluar shumë. Mes të përfolurve në shtyp janë Giulia Bongiorno, Elisabetta Belloni dhe Michele Geraci. Sidoqoftë, mbetet në lojë edhe hipoteza e një stafete Salvini-Di Maio, edhe pse nuk është e qartë nëse Mattarella e mbështet një opsion të tillë.