Nuk dëgjohej më prej kohesh, por Ebola duket nuk u çrrenjos asnjëherë plotësisht.
Sëmundja e tmerrshme është rikthyer në Republikën Demokratike të Kongos me 23 të vdekur prej saj në rajonin e prekur të Equateur, ku ka 42 të infektuar.
E së fundmi, me rastin e parë të konfirmuar brenda qytetit një milionë banorësh, Mbandaka, çka shton friken se vënia e saj nën kontroll e epidemisë ka për të qenë gjithmonë e më vështirë. Ebola shkakton hemorragji te brendshme e shpeshherë ka rezultuar fatale.
Ajo mund të përhapet me një shpejtësi të rrufeshme pas kontaktit me sasi te vogla lëngjesh trupore dhe nis me simptoma të ngjashme me ato të gripit, çka e vështirëson së tepërmi identifikimin e saktë që në fillim.
Shpërthimi i tmerrshëm i epidemisë në Afrikën Perëndimore gjatë viteve 2014-2916 i mori jetën 11,300 personave.
Makthi i saj pushtoi më së shumti kryeqytetet e Guinesë, Sierra Leones dhe Liberisë. Shfaqja tani në Mbandaka, nënvizon për zyrtaret e larte të Organizatës Botërore të Shëndetësisë potencialin e një shtimi të vrullshëm të rasteve.
“Këtu kemi të bëjmë me ebola urbane që është shumë ndryshe nga ajo rurale”, thotë Peter Salama i OBSH-së; situata është e vështirë, shton ai, ndaj duhet vepruar sa më shpejt për të frenuar përhapjen.
Raste të konfirmuara, të mundshme apo të dyshuara të sëmundjes janë regjistruar deri tani në tre zona të mëdha të provincës Equateur ku sipas punonjësve të shëndetësisë, numri i individëve që mund të kenë pasur kontakt me njerëz të infektuar, është 430.