Afganistan: Mbyllen qindra shkolla pas ofensivës së talibanëve

Saturday, 19 May 2018 16:26

Qeveria afgane ka mbyllur qindra shkolla në provincën Farah, pas një ofensive të talibanëve të kryer gjatë kësaj jave.

Në total, 411 institucione arsimore janë mbyllur, ka njoftuar Mohammad Sadiq Halimi, që është zëvendëskryetar i departamentit të edukimit në këtë provincë.

Ministria e Edukimit më herët gjatë kësaj jave ka njoftuar se shkollat do të mbyllen nga 19 maji, për shkaqe të sigurisë.

“Duke e marrë në konsideratë shqetësimet lidhur me sigurinë, ministra ka vendosur që të gjitha shkollat dhe qendrat e edukimit në provincën Farah të mbyllen, derisa situata të stabilizohet”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Shkollat priten të rihapen në fund të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Sipas ministrisë, në mbarë vendim, rreth një mijë shkolla janë mbyllur, si pasojë e konfliktit.

Më 15 maj, qindra militantë talibanë sulmuan kryeqytetin provincial Farah, duke marrë nën kontroll shumicën e qytetit. Por, talibanët u larguan nga ky territor pas një operacioni të forcave të sigurisë afgane, të ndihmuara edhe nga avionët e NATO-s.

Megjithatë, përleshjet mes talibanëve dhe forcave qeveritare kanë vazhduar në periferi të qytetit./rel

Login to post comments