Greva për naftën, Presidenti i Brazilit ul çmimin

Hënë, 28 May 2018 09:47

Presidenti Brazilian Michel Temer u detyrua të bëjë një hap prapa përballë zemërimit popullor dhe vendosi uljen e çmimit të naftës në përpjekje për t’i dhënë fund grevës së kamionistëve që ka gjunjëzuar vendin prej gati një jave.

Çmimi tani do të reduktohet me 13 cent për litër. Ai do të jetë në fuqi për 60 dite e paskësaj do të rregullohet në mënyrë të përmuajshme.

Kamionistët kanë mbajtur të bllokuara prej ditësh rrugët kryesore në mbare vendin dhe sfiduar hapur paralajmërimet e Kreut të Shtetit se do të dërgonte kundër tyre ushtrinë.

Për momentin, nuk dihet ende nëse protestuesit do të zgjedhin ta pranojnë ose jo ofertën e tij. Greva ka paralizuar jetën në një pjesë të mirë të Brazilit; radhë të gjata njerëzish janë mbledhur këto dite përpara pikave të karburantit, aeroportet kanë mungesa furnizimi te tij dhe raftet e supermarketeve kanë mbetur bosh.

Në të paktën 8 rajone të mëdha të vendit, cisternat e naftës janë shoqëruar me forca sigurie. Protesta nisi të hënën e kaluar dhe mori fuqi shumë shpejt, e ushqyer nga “stuhia perfekte” e rritjes së çmimit ndërkombëtar të naftës dhe një zhvlerësim të monedhës vendase, Realit. Çmimi i naftës në Brazil është thuajse dyfishuar që prej vitit 2016.

Login to post comments