Një emigrant është shndërruar në heroin e ditës në Francë pasi arriti të shpëtonte një fëmijë i cili ishte duke rënë nga ballkoni. Mamoudou Gassamës i është dashur të ngjisë pas asnjë lloj mbrojtje katër kate të një ndërtese të Parisit për të mbërritur tek fëmija.
Pamjet filmike të ngjitjes spektakolare të emigrantit kanë bërë xhiron e botës në rrjetet sociale. Brenda më pak se një minute, i riu 22-vjeçar është kacavjerrë nga një ballkon në tjetrin duke mbërthyer në kohë fëmijën që fqinji i tij mezi po arrinte ta mbante.
Mamoudou ishte duke ecur në rrugë kur pa turmën e njerëzve të mbledhur poshtë pallatit e më pas të miturin që mund të rrezohej nga moment në moment. Pas kësaj ai ka vepruar menjëherë dhe ka nisur të ngjitet në ndërtesë pa marrë parasysh rrezikun. I pyetur se çfarë e shtyu të vepronte ashtu, u përgjigj: “Ishte një fëmijë atje lart, nuk mund ta lija, duhet ta shpëtoja. Presidenti Macron e ka ftuar 22-vjeçarin në Pallatin Elize për ta falenderuar personalisht. Falenderime i përcolli më herët edhe kryetarja e Bashkisë së Parisit Anne Hidalgo, e cila tha se Mamoudou kishte mbërritur nga Mali disa muaj me pare me shpresën e një jete më të mirë në Francë. Qyteti i Parisit, shtoi ajo, do te jete padyshim i prirur që ta ndihmojë në përpjekjet e tij. Raportet në mediat franceze tregojnë se prindërit e fëmijës nuk ishin në shtëpi kur ndodhi incidenti. E ëma gjendej jashtë qytetit, ndërsa i ati është marrë në pyetje nga policia mbi arsyet që e shtynë ta linte fëmijën vetëm. Burimi: /DailyMail/