Po mendoni se çfarë vendi do të vizitoni kur jeni vetëm? Një zgjidhje ideale është Insbruku në Austri.
Kryeqendra e Tirolit në Austri, Insbruku, është vendi më i mirë në Evropë për të udhëtuar, në qoftë se jeni vetëm dhe kërkoni të përjetoni një aventurë. I njohur gjerësisht si qendra e sporteve dimërore, Insbruku ndodhet në zemrën e Alpeve të Evropës, në afërsi të luginës Stubai dhe është zgjidhja më e mirë për një shumëllojshmëri sportesh dhe aktivitetesh.
Nuk ka rëndësi stina kur vendosni ta vizitoni, ju do të gjeni patjetër diçka interesante për të bërë në Insbruk. Nëse pëlqeni alpinizmin ose çiklizmin nëpër male, ky është vendi ku mund ta praktikoni. Në qoftë se po kërkoni të përjetoni diçka të re dhe të guximshme, mund të zgjidhni të hidheni me parashutë ose aeroplan. Do t’ju duhet vetëm guxim dhe një aparat fotografik që t’i kujtoni këto çaste të paharrueshme.