Ujëvara e Sotirës, “Niagara” e fshehur e Shqipërisë

Diel, 24 June 2018 10:03

Është magjepsëse kjo mrekulli e natyrës shqiptare që mediat e huaja e kanë krahasuar me Niagarën !

Ndaj mos e humbni pa vizituar Ujëvarën e Sotirës, ashtu siç po bëjnë gjermanët.Por… bëhuni gati për një rrugë jo dhe aq komode në udhëtim, zgjidhi një makinë të lartë, ndiqni me kujdes sinjalistikën, edhe pse ajo, në disa raste, mund të interpretohet ndryshe dhe konsumoni diçka në fshat. Do ta ndihmoni në mënyrë modeste ekonominë e 35 familjeve që mbijetesën e ka mes emigrimit dhe bujqësisë

Nga Nertila Maho

“Do të ecni nja 40 minuta në këmbë për tek Ujëvara, ecni këtu poshtë, aty keni një urë dhe pastaj ndiqni rrugën se vetëm një drejtim keni”. Është ky udhëzimi që na dha në hyrje të fshatit Sotirë, Gjergji, pronari i njërit prej dy lokaleve që ka në total kjo zonë. Është pothuajse mesditë dhe duke qenë se është e shtunë, pritet që të ketë edhe lëvizje turistësh. Jo ndonjë dyndje e madhe, por tek-tuk të zë syri grupe që, ose kthehen ose shkojnë. Nisemi në drejtimin që na treguan dhe pas disa zigzageve gjejmë edhe urën.

Është një urë e sajuar me dru dhe që në çdo hap që hedh mund të ndiesh lëkundjet, ndaj vendosim të ecim një e nga një, edhe pse nuk duket aq e pasigurt. Me përllogaritjet tona, sipas hartës në telefon dhe nga ajo që na kishin thënë ata që kishin qenë më herët, nga fshati drejt Ujëvarës është një distancë prej 5 kilometrash, kështu që llogaritëm që 40-50 minutat e ardhshme do të jenë një ecje sportive për grupin.

Rruga, ashtu sikurse na e përshkruan, ishte në gjendje mjaftueshëm të mirë, e aksesueshme edhe për makina, por jo çdo lloj makine, duhet makinë e lartë Jeep ose pick-up. Në anën e majtë, e gjithë rruga ishte e mbjellë në mënyrë të rregullt me tre breza akacie. Mendja të shkon që do të jetë ndonjë projekt që është lidhur me këtë interesin e shtuar për të vizituar Ujëvarën e Sotirës, që Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura e ka vlerësuar si Monument Natyre.

Të paktën e ka vënë dikush “dorën në zemër” dhe paska bërë diçka të mirë për këtë zonë, komentojmë mes njëra-tjetrës. Pas ecjes në një rrugë që u duk se s’kishte fund, për shkak të diellit që herë shfaqej e herë zhdukej mes resh, arrijmë para një blloku betoni, që mesa kuptojmë është vijimi i një hidrocentrali. Epo nuk mund të shpëtonte edhe ky përrua pa një HEC, si çdo përrua e lumë tjetër në vend, kështu që duam s’duam është kthyer në normalitet. Ujëvarën mund ta shquanim që së largu, kurse nga aty afër mund të dëgjonim vetëm zhurmën e saj dhe të shihnim ujin që dilte nga HEC-i. Jemi në drejtimin e duhur! Këtë mendim na e përforcoi edhe një shenjë e vendosur në anën e djathtë, ku një shigjetë e kuqe tregonte rrugën.

Sinjalistika nuk është e qartë, mund të ngatërrohet lehtë

Të bindur se ishim në rrugën e duhur, ndoqëm drejtimin që kuptuam nga shigjeta, që na çoi direkt brenda hidrocentralit. Pas disa tentativave për të kuptuar se ku mund të ishte rruga, pamë që nuk kishte dalje dhe se për të shkruar tek Ujëvara duhej të bëhej nga ndonjë drejtim tjetër. E meqë këmbëngulëm që sinjalistika tregonte këtë drejtim, nisëm një ngjitje akrobatike, në anën e majtë të HEC-it. Telefonat që pak më parë nuk kishin valë, më në fund na mundësuan një komunikim, për të marrë udhëzime nga një grup që kishte qenë disa ditë më parë.

“Nëse jeni tek ai sheshi para HEC-it kthehuni në anën e majtë”, na tha Andi. Aty e kuptuam që endja jonë shpatit të malit kishte qenë e kotë. E ndërsa po pushonim për ta marrë veten, shohim në horizont dy makina. Nga njëra zbritën pesë veta. Ishin “viktimat” e radhës së sinjalistikës, edhe pse pak “faj” në ngatërresën e tyre e kishim dhe ne që ishim ulur në anën tjetër. Ata ndoqën shembullin tonë dhe nisën ngjitjen në të njëjtin drejtim të gabuar. Pas pak, një grup tjetër i drejtohet anës së kundërt, ishte ajo rruga për tek Ujëvara. Me kujdes zbresim të dyja grupet dhe nisemi drejt Ujëvarës.

Domethënë shenja e shigjetës nuk tregonte rrugën e HEC-it por shpatin tjetër të malit. “Këta (pushtetarët) nuk shohin të bëjnë ndonjë gjë për këtë punë, por e kanë mendjen tek check-up-i ynë. Nuk e duam fare check-up-in”, po na thoshte Tonini, një burrë rreth të 60-ave, nga Tepelena që kishte ardhur me familjen dhe që ishte pjesë e grupit të dytë të ngatërruar ashtu si ne. Pas 15 minutash të tjera ngjitje, arrijmë në një lëndinë. Në fund të saj mund të dalloje qartë Ujëvarën magjepsëse. Nga ai drejtim po kthehej një grup tjetër, që teksa pa fytyrat tona të skuqura, komentoi që sapo të arrinim poshtë tek ujëvara do të harronim gjithë lodhjen.

Nisim zbritjen drejt Ujëvarës. Janë disa shkallë të sajuara, ku është hequr dheu për të krijuar efektin e tillë, por sigurisht e kanë lehtësuar mjaft aksesin. Zbritja nuk zgjat aq shumë dhe kurora e pemëve ta bën pak të vështirë të shohësh të plotë Ujëvarën, por kur mbërrin në fund, e kupton që ia ka vlejtur lodhja. Është magjike! Uji është akull i ftohtë, del nga një e çarë gjatësore brenda shkëmbit dhe rrjedh furishëm poshtë në një lartësi që mesa kishim lexuar në internet, i kalon 100 metrat. Nuk krahasohet aspak me atë të Shëngjergjit, e cila sigurisht është interesante, por kjo ishte diçka tjetër. Të kujtonte pak edhe Valbonën, teksa shihje rrjedhën e ujit që merrte tatëpjetën nën një efekt blu. Dhe, vetvetiu mendon sa e pasur dhe sa e varfër është njëkohësisht Shqipëria.

Nuk mund të mungonin plehrat që turistët i hedhin kuturu

Pasi mbarojmë sesionin e disa dhjetëra fotove secila dhe freskohemi duke qëndruar ulur në shkëmbinjtë në anë të pellgut, ku bie uji i Ujëvarës, sytë të zënë edhe pjesën e pakëndshme. Disa kanoçe birre të hedhura aty, letra nga ushqimet që janë ngrënë pranë ujëvarës dhe janë hedhur po aty.

Kjo është pjesa tjetër që na penalzion, nuk dimë të kujdesemi për pasuritë që kemi, madje ndikojmë negativisht. Ta mendosh që nuk do t’ju kushtonte asgjë t’i merrnin me vete mbetjet pas ngrënies së ushqimit dhe t’i hidhnin në vendin e përcaktuar, vetëm pak metra më lart, aty te lëndina ku nis zbritja për tek ujëvara.

Agjencia e Zonave të Mbrojtura në Elbasan, e cila ka nën juridiksion këtë monument, ka vendosur aty mes gjethesh një letër A4 të printuar dhe të futur në qese plastike duke shkruar: Vizitorë! Kujdesuni për mbrojtjen e mjedisit natyror nga dëmtimet dhe ndotjet.

Le të themi që edhe sikur kjo A4 të ishte një tabelë gjigante që kërkonte këtë ndërgjegjësim, për ata që nuk duan të ndërgjegjësohen, nuk do të kishte asnjë lloj ndikimi, por të paktën institucionet nuk duhet të kursehen për imponim më dinjitoz që tregon se ku mund të hidhen mbetjet e ushqimeve. Bëhemi gati të kthehemi, por sigurisht etja kishte bërë të vetën ndaj nuk i rezistuam një gllënjke ujë nga ujëvara.

Ndoshta nga vapa, ndoshta nga fakti që s’kishim alternativë tjetër, por ramë dakord të gjithë se uji ishte krejt tjetër nga ai që konsumojmë në Tiranë. Ngjitja na mori pak kohë, por ia dolëm. Paraprakisht kishim rënë dakord me Gjergjin, pronarin e lokalit të fshatit (të cilin e hasëm edhe si guidë pranë ujëvarës pak më vonë me një grup turistësh) që të vinte të na merrte. Kthimin nuk e morëm përsipër ta bënim me atë ecjen sportive entuziaste të fillimit. Makina vonoi pak kështu që nisëm të ecnim vetë dhe na arriti diku nga fillimi i rrugës së kthimit.

Më shumë turistë gjermanë, shumica parapëlqejnë të shkojnë vetëm

Gjergji na tregon se interesi për të vizituar Ujëvarën e Sotirës është rritur. “Fundjavave ka interes, vijnë turistë, por vetëm. Kishte vetëm një rast para ca kohësh me një agjenci me 500 vetë që vizituan ujëvarën dhe ky është ndoshta i vetmi rast që ka pasur aq shumë turistë njëkohësisht. Ka të huaj dhe shqiptarë. Nga të huajt, dominojnë gjermanët. Shumica parapëlqejnë të shkojnë pa guidë në këtë zonë, sepse duan ta zbulojnë vetë”, shprehet ai. Pavarësisht se është rritur interesi, turizmi në zonë mbetet i vakët për arsye nga më të ndryshmet, që nis nga infrastruktura, tek mungesa e strukturave akomoduese. Rruga për tek Ujëvara është mundësuar vetëm nga investimi i bërë nga kompania private që ka ndërtuar Hidrocentralin.

“Para se të ndërtohej hidrocentrali, për të shkuar tek ujëvara ishte e pamundur sepse nuk kishte rrugë. Kur u ndërtua kjo pjesë, u hap dhe rruga dhe nisi të kishte frekuentim. Edhe akaciet në krah të rrugës i ka mbjellë investitori që ka ngritur HEC-in, por ai e ka bërë për interesin e tij se ka tubat dhe rrënjët e akacieve lidhen me to dhe nuk lejojnë rrëshqitjen e dherave”, thotë Gjergji. Ai tregon se plani për hidrocentralin dikur ishte menduar për tek Ujëvara, pra që prita të ndërtohej aty dhe kjo do të kishte më shumë përfitim për investitorin, por më pas u vendos që ajo të ishte disi më poshtë, në mënyrë që të mos prekej kjo perlë e natyrës. Të paktën Ujëvara e Sotirës shpëtoi, jo të gjitha pasuritë natyrore në këtë vend kanë pasur kaq fat.

Mbijetesa e fshatit që mes emigracionit dhe blegtorisë

Kur mbërrin në fshatin Sotirë e kupton që nuk ke të bësh me një fshat të madh, mesa morëm vesh, në total jetojnë vetëm 35 familje, të cilat mbijetesën e tyre e kanë të varur mes emigracionit dhe blegtorisë apo bujqësisë. “Nuk ka shumë të rinj, sepse pjesa më e madhe ikin, ose emigrojnë në Greqi ose zbresin në qytet. Janë shumë pak familje dhe s’ka ndonjë peshë të madhe edhe në vota, që të detyrojë pushtetin vendor apo qeverinë që të jetë më e kujdesshme apo të ndihet nën presion për të investuar në këtë zonë. Nuk i mbajmë mend qëkur s’kanë ardhur. Edhe ndryshimi i reformës territoriale, që kaloi komunat në njësi administrative, nuk na ndikoi apo ndihmoi për ndonjë gjë”, – shprehet Gjergji.

Orientimi kryesor në fshat është blegtoria, rritja e gjedhit shihet si një mundësi për të siguruar jetesën. Kurse bujqësia nuk është për prodhim masiv që u mundëson shitje, secili prodhon për vete nga të gjitha gjërat nga pak. Edhe grurin kjo zonë e prodhon vetë dhe e bluan te fabrika që ndodhet në Gramsh. Tek-tuk të zë syri edhe levandul, që mesa marrim vesh tashmë po shkulet dhe banorët po heqin dorë, pasi çmimi i saj ka prekur fundin. Kemi mbërritur në fund të rrugës, nga Ujëvara në fshat duhet të paguash 1500 lekë për shërbimin me makinë, nuk ka rëndësi nëse vendos për vajtje-ardhje apo vetëm njërën nga këto rrugë.

Infrastruktura, të shkosh për në Sotirë është “sport” i vështirë

U drejtuam për tek makina jonë, një “Mazda” e thjeshtë që nuk hyn aspak te makinat e larta dhe që në ardhje drejt Sotirës, kushedi sa herë na shkoi në mendje varianti se çfarë do të bënim po të na linte në mes të rrugës. Nisim kthimin, me të njëjtën frikë. Nëse dikush do të na kishte parapërgatitur për këtë skenar rruge, nuk do ta kishim marrë mundimin për të shkuar fare tek Ujëvara e Sotirës (fatmirësisht shkuam dhe ia vlejti). Nuk ishim të vetmit me një makinë të ulët, pas nesh një çift me një Audi A4, edhe më i ulët se makina jonë, por edhe më i ri. Ndoshta pendimi i tyre ishte më i madh se yni. Edhe në ardhje në fshat kishim qenë të dyja makinat njëra pas tjetrës, u gjetëm bashkë te një lumë para se të arrish në fshatin Bregas dhe ku kalimi duhet të bëhej mbi urë.

E gjithë rruga nga Sotira deri në afërsi të Gramshit është problematike. Gropa, rrëshqitje dheu tek-tuk, por për hir të së vërtetës, me shtresa çakulli, ku gurët janë gjigantë. Pra nëse doni të shkoni në këtë zonë, duhet të mendoheni mirë, pasi me një makinë të vogël nuk do t’ia dilni dot, ose rruga do të kthehet në vend të një udhëtimi të këndshëm, në një stres më vete. Nga Sotira në Gramsh të duket një përjetësi dhe imagjinoni nëse kishe menduar që drekën do ta haje diku nga Gramshi. Pas përpjekjeve për të kaluar rrugën, duke mos dëmtuar makinën, ia dolëm që në orën 17:30 të jemi në Gramsh.

Fatmirësisht kjo pjesë ka një infrastrukturë relativisht të mirë, ndërkohë që investimi që është bërë afër Hidrocentralit të Banjës për rrugën është vërtet me standarde. Skarpatet janë të veshura me kujdes ashtu si sinjalistika, vijëzimi dhe cilësia e rrugës që janë tërësisht brenda standardeve. Nuk do shumë mend të kuptohet se e gjitha është fryt i një investimi të rëndësishëm të bërë nga Statkraft. Hidrocentrali i Banjës ka krijuar edhe një liqen të këndshëm, anash të cilit në disa pika janë ngritur restorante dhe lokale që të ofrojnë një panoramë relaksuese. Pasi ke shijuar drekën dhe ke pirë kafenë mendon.

A ia vlen një mundim kaq i madh për të parë një ujëvarë? Po! Shkoni patjetër tek Ujëvara e Sotirës, por mos harroni rruga nuk është një detaj që duhet kaluar me indiferencë, pini një kafe në fshat për t’i ndihmuar sadopak banorët, ndiqni me kujdes sinjalistikën sepse gjasat janë që ta ngatërroni lehtë.

Sotira, pjesë e programit “100 fshatrat”, por ende nuk dihet ku konsiston ndërhyrja

Qeveria bëri të ditur pak kohë më parë nismën e saj “100 fshatrat”, e cila synon të krijojë një model të fshatit të së nesërmes ku, përveç bujqësisë, të ketë zhvillim edhe për aktivitetet jobujqësore, duke rritur mirëqenien, por edhe duke garantuar shërbime më të mira.

Secili nga fshatrat e përzgjedhur do të identifikohet me tiparin apo asetin dallues të tij. Në listën e 100 fshatrave, qeveria ka vendosur të përfshijë edhe fshatin Sotirë në Gramsh.

Ende nuk është e qartë se ku do të konsistojë ndërhyrja e qeverisë përmes këtij programi në këtë fshat, por duket se më emergjente, të paktën sipas banorëve, është infrastruktura. Nëse nuk krijon infrastrukturën që më shumë njerëz ta kenë më të lehtë të vijnë, çdo nismë tjetër brenda fshatit nuk do të ketë ndikim. Për zonën e Elbasanit, ku bën pjesë edhe fshati Sotirë, janë zgjedhur edhe një seri fshatrash si Gjinar, Shushicë, Shtërmenj, Seferen, Pajovë, Seblevë, Dardhë.

Programi “100 fshatrat” ka bashkuar tre ministri të qeverisë në këtë bashkëpunim, duke nisur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tek ajo e Turizmit dhe Mjedisit dhe në fund, edhe ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë. Secila prej tyre, përmes përgjegjësisë që ka, do të kontribuojë në aspekte të ndryshme në zbatimin e projektit trevjeçar. Për vitin 2018, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka parashikuar një fond prej 2.5 milionë dollarësh për këtë program. /Monitor

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...