Balerinët e trupës së “E diela shqiptare” bashkë me koreografen Kozeta Bakiu vendosën që t’i bënin një surprizë një prej kolegëve të tyre, Xhenit. Kjo e fundit është pjesë e kësaj trupe prej shumë vitesh dhe këtë të diel festonte ditëlindjen.
Surprizë e organizuar në formë loje, nisi me lajmin e trishtë se dy balerinët, Xhoni dhe Avi do të zëvendësonin dy prej vajzave, ndaj dhe i kërkoi koreografes Bakiu që të vendoste cilat do të largonte.
Bakiu nuk pranoi dhe propozoi që kjo të hidhej në votë. Të gjitha vajzat shënuan me radhë emrin e balerinës që dëshironin të largohej nga trupa e baletit. E duke qenë një lojë e mirëmenduar dhe e planifikuar në detaje, Xheni ishte ajo që mori më shumë vota për t’u larguar.
Me sytë e përlotur, Xheni tha se nuk e dinte përse kolegët kishin vendosur ta largonin. Ajo tregoi se kishte shënuar emrin e saj në letër, ndërsa nuk pranoi që të zgjidhte një prej dy vajzave të tjera që kishin marrë gjithashtu nga një votë për t’u larguar.
Duke qenë se Xheni ishte më e votuara, Gjebrea tha se e “E Diela Shqiptare” i kishte përgatitur një insert me disa nga momentet më të bukura në këtë program. Por në fund të insertit, shkruhej: “Xheni, na Fal! Poor…. Ishte lojë! Gëzuar Ditëlindjen”.
“Ti sot ke ditëlindjen dhe ne për sa vite kemi kaluar bashkë donim të të bënim një surprizë… Zgjodhëm mënyrën më të keqe për ta bërë këtë surprizë. Por unë dua të të falënderoj dhe të jam mirënjohës, sepse ti je një njeri i shkëlqyer dhe një balerinë e jashtëzakonshme”, ishin fjalët e Gjebreas për Xhenin.