Thashethemet për shumë njerëz nuk janë të rëndësishme dhe duhen injoruar, por kur ata arrijnë të prishin një marrëdhënie atëherë nuk duken aq të padëmshme.
Kjo ka ndodhur me Matildën, personazhen e radhës në “Ka një mesazh për ty” tek “E Diela Shqiptare”.
Ajo deri para dy muajsh kishte një jetë shumë të lumtur bashkëshortore, çdo gjë shkonte shumë mirë në familjen e saj, derisa fjalë të pavërteta nisën të qarkullonin mbi moralin e saj. Këto fjalë ranë në vesh të bashkëshortit të saj Ilia dhe bënë që besimi i tij ndaj gruas të lëkundej disi. Matilda ishte sot në studio për të falenderuar bashkëshortin e saj por mbi të gjitha për të kërkuar ngrohtësinë e dikurshme dhe gjithçka që tashmë s’e ndjen më.
Matilda: Unë jam Matilda Kumaraku, 29 vjeç, jam e martuar kam dy fëmijë, dy djemë. Jam martuar pak e vogël, 16 vjeçe.
Ardit Gjebrea: Me dashuri?
Matilda: Me lajmësi. Me Ilian kam shkuar shumë mirë, kemi pasur një familje shumë të mirë. Kemi pasur shumë harmoni në çift, shkonim shumë mirë. Madje na kishin zili. Sot e kam thirrur këtu bashkëshortin tim sepse kanë ndryshuar shumë gjëra në jetën tonë. Dhe shkak janë bërë thashethemet, që kanë hyrë mes meje dhe bashkëshortit tim.
Ardit Gjebrea: Çfarë thashethemesh?
Matilda: Para nja dy muajsh, unë nuk ndihesha mirë, isha pak pa qejf dhe vijnë më marrin prindërit e mi, shkoj në fshat te prindërit e mi, bashkë me fëmijët. Sepse qëlloi që ndodhën edhe përmbytjet dhe e kishim shtëpinë nën ujë. Shkoj te prindërit e mi, pas 5-6 ditësh më merr im shoq në telefon. Kam dëgjuar shumë fjalë thotë. Sikur unë bashkëjetoja me një person nga fshati. Më pyet nëse janë të vërteta. Kishte dëgjuar fjalë se unë kisha krijuar një martesë të dytë me një nga fshati. Më tha që do të vinte te shtëpia e prindërve. Ai ishte i sigurt pak a shumë që unë nuk fshihja gjë, por u bë konfuz pasi dëgjoi shumë gojë që flisnin.
Vjen bashkëshorti në shtëpi i thotë babait tim që janë hapur fjalë. Ngelëm pa fjalë.
Ardit Gjebrea: Pati ndonjë moment dyshimi babai yt?
Matilda: Jo, nuk e besoj. Nuk m’u shpreh të paktën. Ai beson tek unë.
Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi në të vërtetë?
Matilda: Erdhi bashkëshorti aty, i tha babait. Kishte edhe zënka. Unë nuk jam ndjerë mirë.
Ardit Gjebrea: Ti e njihje këtë person?
Matilda: Me thënë të drejtën unë e njoh këtë personin. E kam parë nga larg. Një herë qëlluam në dyqanin e fshatit. Ai kishte ditëlindjen e djalit. I ofroi një pije djalit tim. E refuzova por shitësja tha merre se ka ditëlindjen e djalit, ndaj po ia jep.
Burrit tim i vinin disa telefonata anonime në telefon. Kështu që vendosëm ta denonconim. Kur po shkonim në polici na del personi përpara. I thotë bashkëshortit tim që dëshiron të sqarohet, që ne i kemi prishur familjen. Na kërkon të shkojmë te bisedojmë me nënën e tij që ta besonte familja.
Ardit Gjebrea: Deri në çfarë pike kanë mbërritur marrëdhëniet e tua me bashkëshortin sot, që ti ke ardhur këtu?
Matilda: Ai nuk është më si më parë. Ai më përpara bënte gjithçka për mua. Atë vit që u martova, ngela shtatzënë menjëherë me djalin e madh. Dhe pasi linda djalin e madh jam sëmurur, kam vuajtur katër vjet. Më duhej të kurohesha për katër vjet rresht. Ai ka ndenjur shumë pranë meje. Ka bërë gjithçka për mua, si një nënë dhe jo si një bashkëshort. Më mungon harmonia, më mungojnë fjalët e tij që thoshte gjithmonë. Më mungon gjithçka tek ai. Atë që ne kemi pasur para dy muajsh. Nuk është Ilia që ka qënë.
Ardit Gjebrea: Duhet të jetë shumë e rëndë përderisa ti vjen dhe e bën publike këtë gjë…por nëse Ilia ka ardhur, a mendon se do ndjehej keq duke dëgjuar se po bëhet kaq publike kjo histori?
Matilda: Ai është tip që preket shumë shpejt.
Mesazhi në studio: Ilia të kam thirrur sot këtu të të falenderoj për gjithçka që ke bërë për mua.
Ilia: Është detyrë e burrit…
Matilda: Të falenderoj që ke ndenjur pranë meje, pranë fëmijëve. Ke qenë një baba shumë i mirë një bashkëshort shumë i mirë. Dhe dua që të rifitojmë dhe këto dy muaj që na kanë humbur. Nuk dua që të dëgjosh fjalët e këqija. Dua të më besosh siç më ke besuar para dy muajve.
Dua të mos dëgjosh fjalët e njerëzve. Nuk janë të vërteta. Unë s’e kam bërë kurrë atë gjë dhe s’kam për ta bërë asnjëherë.
Ilia: Unë nuk kam asgjë me të. Kam pasur problemet e mia vjet. U sëmurë ajo, babai..përmbytjet. Nuk jam i ftohtë. Derisa nuk kam parë gjë me sytë e mi nuk kam pse e lëndoj atë. Mbase nuk është e vërtetë dhe s’kam pse t’i bie më qafë asaj.
Ardit Gjebrea: Në momentin që thua mbase nuk është e vërtetë, ti nuk je i bindur?
Ilia: Nuk kam pse e rëndoj atë, mbase s’ka bërë gjë. Ajo është nëna e fëmijëve të mi. E kam marrë në shtëpi. Kësaj marrëdhënie i duket e ftohtë, për mua njësoj është. Mua s’më interesojnë fjalët e fshatit, më intereson ime shoqe dhe kalamajtë. Ajo e di që unë nuk e hedh kurrë poshtë atë.
Mesazhi mbyllet me përqafime e puthje mes çiftit e ashtu siç tha edhe moderatori i programit Gjebrea, në një çift si ata nuk mund të ketë vend për një të tretë.