Duket se kjo qeveri është totalisht e paaftë t’i menaxhojë rrugët në Republikën e Shqipërisë.
Dhe kjo duket qartë nga numri i segmenteve rrugore që janë aktualisht në vend të bllokuara dhe të papërdorshme për qytetarët.
Një aspekt i rëndësishëm i kësaj çmendurie është fakti se kjo qeveri nga njëra anë hap sezonin turistik anë e mbanë Shqipërisë dhe nga ana tjetër fillon e riparon rrugët, duke ua nxirë jetën shqiptarëve dhe duke e penguar maksimalisht zhvillimin e turizmit. Por jo vetëm riparimi por edhe bllokimi, neglizhenca dhe mungesa e investime e ka bërë qeverinë e Edi Ramës, qeverinë e rrugë të bllokuara.
Tiranë-Durrës
Duket se riparimi i disa pjesëve të autostradës Tiranë-Durrës vijon prej disa ditësh të mbetet një problem shumë serioz për drejtuesit e mjeteve, duke shkaktuar radhë të gjata me makina.
Deri më tani janë bllokuar plotësisht akse të ndryshme. Edhe pse trafiku është devijuar në disa pjesë të autostradës, radha e makinave shkon disa kilometra. Sakaq punimet mendohet të finalizohen në fund të muajit.
Kukës-Peshkopi
Aksi rrugor Kukës-Peshkopi është bllokuar për disa orë pasditen e së enjtes si pasojë e rrëshqitjeve masive të dherave, pas reshjeve të dendura që ranë gjatë kësaj kohe në verilindje. Si pasojë e rrëshqitjeve, dhjetëra automjete mbetën të bllokuara në dy anët e rrugës që lidh fshatrat Bushtricë dhe Ujmisht. Përveç rrëshqitjes së dherave nga shpatet e rrugës, reshjet kanë sjellë edhe probleme me çarjen e asfaltit. Banorët e zonës pohojnë se aty pranë ndodhet një përrua që ka dalë nga shtrati dhe të gjitha inertet që ka grumbulluar i ka nxjerrë në sipërfaqe të rrugës. Po ashtu, nga reshjet është çarë edhe tubacioni që ndodhet poshtë asfaltit. Asnjë prej autoriteteve nuk është parë aty.
Tiranë-Elbasan
Segmenti Tiranë – Elbasan ka muaj i bllokuar në njërin krah të tij. Shembja e ndodhur pak muaj më parë deshi disa muaj që të kryhej studimi dhe të nxirren të dhënat për fizibilitetin. Masivi shkëmbor është ende aty dhe akoma nuk është liruar plotësisht për automjetet.
By Pass-i i Vlorës
Në kantierin e ndërtimit të By Pass-it të Vlorës, prej më shumë se një viti nuk ka më asnjë mjet dhe punëtor. Firmat nënkontraktore shqiptare kanë braktisur këtë kantier ndërtimi, pasi nuk janë paguar nga kompania Serenisima, e cila kishte fituar tenderin për të kryer punimet në këtë By pass. Vonesat në ndërtimin e By-Passit të Vlorës, i kanë sjellë dëme të konsiderueshme shtetit shqiptar. Raporti i auditit të KLSH-së gjeti shkelje në mosrespektimin e afateve. /55news.al/