Që me të Drejtën Romake, bazën e sistemit juridik, historia e njerëzimit ka njohur gjyqe të këqija dhe gjyqe të mira, por kurrë nuk ka njohur një shtet pa gjykata. Rezultati i deritanishëm, pra asgjësimi i Gjykatës Kushtetuese, gardianes së sistemit parlamentar dhe juridik shqiptar, dhe Gjykatës së Lartë, si autoriteti i fundit i vendimeve përfundimtare, tregon qartë se nuk ka reformë në drejtësi, por një deformim të shtetit shqiptar. Madje, edhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, është siguruar vijimësia e sistemit gjyqësor duke inkuadruar gjykatat otomane në sistemin juridik të shtetin shqiptar, pa asnjë “ngrirje”.
Çka është më e rëndësishmja është se kjo reformë që do përndiqte korrupsionin është infektuar nga korrupsioni. Kjo reformë nuk po godet të korruptuarit në drejtësi, por po godet dhe ka gjymtuar sistemin e drejtësisë. Kjo nuk është më një armë kundër të korruptuarve, por një armë në duart e të korruptuarve dhe krimit të organizuar. Mjafton të shohim emërimin anti-kushtetues dhe në kontradiktë me vet reformën të Arta Markut, Kryeprokurores së Përkohshme, tagri i detyrës së të cilës duhet të ishte vetëm ushtrimi i një “kujdestarie” të organit të Prokurorisë. Por, kjo Kryeprokurore s’është as e përkohshme e as kujdestare, por vet Edi Rama në krye të Prokurorisë.
Çështja Tahiri dhe Çështja Xhafa janë dy vërtetime që demaskojnë tërë atë propagandë që e veshi reformën në drejtësi me mantelin e superheroit. Tahiri është i lirë, i vëllai Xhafës e ka burgun si kafenë, hynë e del sipas qejfit, ndërsa ligjet anti-kushtetuese të Edi Ramës nuk i kundërshton dot sepse nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Ndaj një shpronësimi të padrejtë sot një qytetar nuk mund të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, sepse është asgjësuar nga reforma. Vet procedurat për largimin e gjyqtarëve bazohen në metoda sigurimi, të kontrollit se çfarë këpucësh heq pas dere, se çfarë rrobash veshin dhe deri tek kontrolli i fëmijëve nëpër shkolla. Pra, ky brumë që e përbën këtë reformë s’ka krahasim në botën euro-atlantike.
Thënë ndryshe, kjo reformë që do zgjidhte problemet, është bërë vetë problemi dhe ka degraduar në atë masë saqë duhet një reformë tjetër për vet reformën në drejtësi.