Teatri që qëndron në këmbë në mes të Tiranës është një dëshmitar okular i të gjithë atyre të zezave që kur i mbledh bashkë bëjnë sot Edi Ramën. Përpos epsheve korruptive dhe oligarkike, Edi Rama në kllapinë për të shembur Teatrin tregon atë kompleksitetin që ka çimentuar unin e tij. Dështimi në art si piktor e degdisi Ramën si bohem rrugëve të Parisit dhe me t’u rikthyer si Ministër i Kulturës, ai s’reshti pa sulmuar aktorë e aktore, me gjuhën e qosheve të rrugës, dhe ashtu, i veshur lara-lara, si një shkarravinë, firma e parë që hodhi si Ministër i Kulturës ishte hapja e një bingoje brenda në Teatër. Tanimë, si Kryeministër, ai pandeh se mund të luajë me jetën artistike dhe të artistëve shqiptarë si me ato goglat e bingos.
Tek shembja e Teatrit Kombëtar, Edi Rama ka projektuar gjithë urrejtjen e tij ndaj artistëve. Pse? Sepse ata e njohin mjaft mirë Edi Ramën. Ata e dinë, pa qenë nevoja ta shohin Edi Ramën në dhomat e zhveshjes, se çfarë pështjellimesh dhe bipolariteti fshihet tek ky Kryeministër. Ata s’kanë nevojë të shohin një foto nudo të tij në plazhet e Francës për të kuptuar se është përditë cullak. Ata s’kanë nevojë për të dëgjuar numrin e divorceve për të parë se çfarë dhune ushtron ndaj femrave. Ata s’kanë nevojë të dëgjojnë ato batuta prej klubi-skedinash, për të kuptuar sesa rrafsh është kulturalisht. Por, çka i djeg më shumë Edi Ramës, është se ata e dinë që ai s’është artist. Pikërisht për këtë, për çka artistët dinë për të dhe për çka dëshmon dhe i kujton ai Teatër, Rama me shembjen që po bën, po “vret” jo vetëm Tempullin e Kulturës së Shqipërisë, por ata që e njohin se çfarë çorbe frojdiane është.