Nga Mina HYSA
Fran Frokaj, kryetari i bashkisë Lezhë, është një prej drejtuesve vendorë më të mirë në vend. Ai veçse një ekspert i shkëlqyer i pushtetit vendor, për vet faktin që prej vitit 2003 ka qenë kryetar i Komunës Shënkoll dhe ka një mal eksperience mbi shpatulla, në vitin 2015 qytetarët e zgjodhën të jetë kryetar i bashkisë së Lezhës, një territor shumëfishë më të madh në sipërfaqe dhe popullsi.
Edhe pse bashkinë e gjeti në kushte aspak të optimale, Fran Frrokaj i votuar me një rezultat mbresëlënës diti të përballet shumë shpejt me sfidat dhe problematikat me të cilat përballet qyteti dhe qytetarët e Lezhës duke iu dhënë zgjidhje problemeve më imediate si dhe përgatitur projekte dhe platforma për një zhvillim të qëndrueshëm.
Fran Frokaj e ka justifikuar mëse miri besimin e zgjedhësve, ka bërë më të mirën në shërbim të tyre përballë vetos qeveritare për të mbështetur një bashki me përfaqësues të PD dhe sipas sondazheve, qytetarët e kanë thelluar besimin tek drejtuesi i tyre, tek qytetari i parë i Lezhës.
Ky sukses i Fran Frokajt, trazoi, e prishi qetësinë e pushtetit, të Rilindjes e cila është mësuar të qeverisë vetëm përmes propagandës, mediave të blera që ka nën kontroll, duke mos bërë asnjë punë, duke mos pasur asnjë bilanc, ndaj dhe nisi sulmin drejt një drejtuesi vendor që duhej të ishte shembull për ta.
Në vend se të mësonin prej tij, të ndiqnin modelin e suksesshëm të qeverisjes vendore, të bashkëqeverisjes reale me qytetarët, Rilindasit ndërsyen segmente të akuzës dhe policisë kanabiste që të turreshin ndaj Frokajt, jo vetëm një pushtetari vendor të suksesshëm, por dhe një politikani model, karriera e të cilit rritet dita-ditës duke hedhur baltë mbi të, por që kurrë nuk mund ta baltosin.
Kjo ndodhi vetëm një vit para zgjedhjeve vendore, tregues i qartë që suksesi i Fran Frrokajt ka trazuar ujëra, ka prishur qetësinë në kampin e majtë ku zërat në media thuajse kanë nxjerrë dhe emrin e rivalit të Frokajt që eksportohet nga Tirana!.
Në mënyrë tejet skandaloze, kryebashkiaku shoqërohet në polici dhe i jepet masa arrest, për një akuzë aspak të vërtetuar, pa prova konkrete dhe kjo bëhet vetëm e vetëm për të bërë Show Mediatik!. Ndalimi i Frrokajt u bë mbi devizën komuniste të Koci Xoxes: Ndalo, arresto pastaj kërko në mos gjen prova!.
Kjo ishte gafa dhe do rezultojë deri në fund si një operacion politikë, me llogari të bëra gabim pasi Rilindja dhe çakejtë e tyre kurrsesi nuk do të mundin të konkurrojnë Fran Frrokajn, kryetari legjitim i Bashkisë Lezhë dhe kandidati më potencial në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm. Zoti Frrokaj është edhe nënkryetar i degës së PD Lezhë dhe pikërisht këtu, zë fill çdo pretendim i padrejtë apo lajthitje politike mjerane se garat politike duhen fituar domosdo, në rastin më të keq duke “eliminuar” politikisht kundërshtarët me të cilët nuk përballen dot.
Fran Frrokaj lirohet në ditën Kombëtare të Drejtësisë/“Do të insistoj në pafajësinë time pasi jam i bindur për këtë”- kështu u shpreh Kryetari i bashkisë më në Gjykatën e Apelit Shkodër. Dhe pikërisht në Ditën Kombëtare të Drejtësisë më 10 maj, Gjykata dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë dëshmuan se këto dy struktura të pushtetit gjyqësor, munden dhe duhet të jenë deri diku të pavarura dhe pandikuara prej çdo interesi të ngushtë palësh dhe mbi çdo arrivizëm politik të gjithkujt duke e lënë të lirë Fran Frrokaj dhe kthyer atë në detyrën e kryebashkiakut të Lezhës. Ndalimi i tij nuk ishte gjë tjetër veçse një veprim banditesk, i pajustifikuar, i pa mbështetur në prova. Për këtë:
Risjellim në vëmendje se referuar kompetencave, në të gjithë procesin e trajtimit të kërkesave të qytetarëve për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme të përfituar me ligjin 7501 “Për tokën”, Bashkitë kanë vetëm tagrin për të:
Orientuar qytetarët mbi dokumentacionin që duhet paraqitur;
Ndërvepruar me institucionet rajonale dhe qendrore, me korrespondencë zyrtare mbi dokumente shtesë si dhe përcjellë kërkesën e qytetarit drejt zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ku kjo e fundit ka tagrin absolut të shqyrtimit të kërkesës.
E thënë ndryshe, Bashkia nuk prodhon dokumente zyrtare si dhe nuk procedon me vendimmarrje administrative. Pra, Bashkia nuk ka tagrin dhe as kompetencën për të plotësuar Akte të marrjes së tokës në pronësi (Amtp) në të tilla procedura, të përcaktojë zërin kadastral të një pasurie apo të shqyrtojë bazueshmërinë ose jo në ligj e prova të kërkesës për të vijuar në regjistrimin e pronës. Të tjera institucione me të tjera kompetenca e kanë këtë autoritet dhe tagër.
Në këtë fazë të hetimit, prokuroria ka administruar çdo provë të nevojshme dhe se duke njohur procedurën administrative shpreh bindjen se dyshimet e arsyeshme për çdo veprim apo mosveprim të paligjshëm, pa diskutim do të adresohen në përputhje të plotë me tagret institucionale.
E thënë ndryshe, veprimet për të cilat po hetohet Fran Frrokaj janë në kundërshtim me ligjin, gjithmonë aty ku fillon dhe mbaron autoriteti dhe detyrimi ligjor i bashkisë, me siguri të plotë shpreh se janë në përputhje me çdo ligj dhe akt nënligjor.