Beogradi synon zhbërjen e rezultatit të luftës së NATO-s
Nga Qemal SAKAJEVA/
Po ndodh çfarë nuk është besuar: Serbia bombardon Kosovën në kohë paqe, për të arritur përfundime që nuk mundi me luftën e nxehtë.
Atë fund marsi të vitit 1999, NATO nisi bombardimin e Jugosllavisë (Serbisë) dhe rezultati i luftës ishte çlirimi i Kosovës, në kufijtë e saj si njësi administrative e Federatës së Jugosllavisë. Për të mbërritur te çlirimi u deshën 78 ditë luftë.
Në fund korrik të vitit 2018 është Serbia që ka nisur bombardimin e Kosovës me të gjithë arsenalin e luftës së ftohtë. Ajo nuk synon pushtimin e Kosovës - se nuk mundet - por këmbëngul të zhbëjë rezultatin e bombardimeve të NATO-s, të drejtuara nga SHBA, si dhe luftën e shqiptarëve.
NATO llogariste me përpikmëri goditjet në pikat më nevralgjike - ushtarake dhe civile - për të detyruar dorëzimin e Serbisë me “luftë njerëzore”, por pa ia vrarë popullin.
Serbia po bombardon në pikat më nevralgjike të Kosovës për t’i vrarë shqiptarët: duke u përpjekur t’ia coptojë territorin, interpretuar nëpërmjet termash si “korrigjim i kufijve”, dhe askush nuk shpjegon se në ç’zyra u projektua dhe formulua, madje e shqiptuar edhe me gojën e presidentit Hashim Thaçi; synon ndarjen e Kosovës sipas termave të vjetër, deri te më të fundit, të Qosiç e Vuçiç, ndërsa territore të saj gjenden nën Serbi, përtej kufijve të sotëm të Kosovës; nëpërmjet rrëmbimit të pasurive jetike - territor e pushtet - me manastire, kisha dhe Bashkësinë e Komunave Serbe, si dhe ujëra e miniera.
Këto sulme difuze prej nga vijnë, janë përqëndruar mbi Kosovën siç pasqyra konkave mbledh rrezet për të ndezur flakën. Habia është çnjerëzore: Politikanët flasin e bërtasin gjithandej si tellallët e dikurshëm në pazar, ndërsa populli i hutuar është lënë menjanë e në terr informativ. Beogradi kundron pamjen të cilën e zhvillon vetë dhe bën sikur Serbia është viktima. Zëdhënësja e Bashkimit Europian bëri një deklarim në media që nuk ishte “as qumësht as kos”. Ambasadori amerikan në Beograd tha formulën: politika e SHBA ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar. Rusia luan filma politikë në Ballkan dhe xhiron filma artistikë të shtrenjtë kundër Kosovës. Politikanë të vendeve të rajonit mërmërisin nga pozicionet e pafuqisë së tyre. Fjala luftë e nxehtë del nga gojë zyrtarësh të niveleve te mesme sikur nuk është kushedi se çfarë. Dhe kryesore qënka që të arrihet një marrëveshje përfundimtare Serbi- Kosovë, për ndryshe as për Beogradin e as për Prishtinën s’ka integrim në BE. Por Kosovës, më e para dhe mbi të gjitha i duhet ekzistenca e popullit të vet, mbrojtja pa u cenuar e territorit, zotërimi i pasurive brenda kufijve të shtetit të pavarur më 17 shkurt 2018, dhe pastaj, në bazë të këtyre, le të vijë dhe marrëveshja.
Kur në SHBA e madhe, lajmet e rreme janë sulmuar si trazuese të jashtëzakonshme, madje edhe me fuqi përcaktuese për mjaft zhvillime e dëmtuese, lajmet e vërteta dhe lajmet e rreme në Kosovë paraqiten ndryshe: ato janë përzjerë bashkë dhe në popullin shqiptar kanë krijuar hutim e psikozë të luftës së nxehtë, si ajo kur duhej përballuar Millosheviçi. Aso kohe politika, e shteteve vendimamërrëse dhe NATO-s, qe e qartë duke u vendosur në anën e duhur dhe e mbrojti Kosovën për të çliruar popullin dhe territorin jetik të saj.
Politika e kryeqyteteve të rëndësishme, tani që Serbia bombardon në mënyrë tjetër nga ajo e NATO-s, është e përgjumur, e papërcaktuar, me deklarime që zhgënjejnë shqiptarët dhe trimërojnë Serbinë.
Serbia e di se nuk e pushton dot Kosovën. Por ka synim të marrë një rezultat revansh ndaj vendeve perëndimore: “Shtetin e NATO-s”, siç ua ka thënë atyre në sy e në mënyrë të përsëritur, t’ua vërtetojë si “ Gjoja shtet”, siç ua ka cilësuar gjithashtu në sy dhe po ndërmerr sfidën.
Ndërkombëtarët nuk kanë nevojë të mendohen gjatë për të ditur cili është problemi.
Problem ka qenë, është dhe do të jetë Serbia.
Nuk është, nuk ka qenë e nuk do të jetë Kosova.
Fatkeqësisht, Serbinë me Rusinë pas, nuk e ndalon dot BE.
Vetëm Uashingtoni e struk Serbinë me një fjalë të vetme.