Nga Qemal SAKAJEVA
“Statistika demografike” e familjes mund të ndryshojë çdo vit. Njëlloj si ato të shtetit.
Kështu edhe e këtyre shtatë burrave e grave, të lindur prej dy prindërve jetimë etë vuajtur sa s’ka më, që e patë krijuar familjen në fshatin Babunjë e Re të Lushnjës, në vitin 1938. Më i madhi i të shtatëve i ka kaluar të 76-tat, më i vogli është 59 vjeç. Katër kanë dalë në pension, dy të fundit gati po e prekin atë cak. Secili ka familjen e tij, me disa fëmijë dhe shumë nipa e mbesa.
Njërit prej tyre sapo i emigruan përtej oqeanit Atlantik dy pjesëtarë - vajza dhe mbesa.
Kjo ngjarje fare e rëndomtë ndër ne, për shkak të përsëritjeve të panumërueshme , u bë shkas që të përpilonin statistikën më të fundit të trungut familjar, në shembullin e statistikave zyrtare: Sa ka shkuar numri i të emigruarve dhe cilët kryefamiljarë kanë më shumë të ikur nga Shqipëria? Llogaritja e tyre është arithmetikisht e saktë, thjeshtë listë emrore, pemë gjenealogjike pa gabime, me degë të përhapura në disa dhera të huaja.
I pari, më i madhi, I. S.: Ka katër djem të martuar, gratë dhe fëmijët e tyre, si dhe dy vajza të martuara me fëmijë. Gjithsej bëhen 27 frymë. Vetëm 8 gjenden në Shqipëri, 19 janë në Itali e Greqi.
I dyti, Q.S.: Ka tri vajza, me nipat e mbesat bëhen 8 anëtarë. Prej tyre, 5 janë në Shqipëri, 3 të tjerë kanë pasaporta të huaja.
I treti, R.S.: Ka 2 djem dhe 1 vajzë, me nipat e mbesat bëhen 10 pjesëtarë. Prej tyre, 8 gjenden në Shqipëri, 2 emigruan në Greqi.
I katërti, R.SH.: Ka 4 djem . Nga fëmiljet e krijuara, me gjithë nuset janë bërë gjithsej 13 frymë, prej të cilëve vetëm 6 janë në Shqipëri, 7 janë me pasaporta italiane, të vendosur përgjithmonë në Itali.
I pesti, L.G.: Ka 2 vajza dhe 2 djem. Nga familjet e krijuara janë bërë 15 pjesëtarë, por vetëm 3 kanë mbetur në Shqipëri, 12 të tjerë janë të vendosur përgjithmonë në Itali dhe Francë.
I gjashti, M.S.: Ka 4 fëmijë. Nga familjet e krijuara jënë bërë 13 anëtarë, nga të cilët 5 kanë emigruar në Greqi dhe Itali.
I shtati, Q.S.: Ka vetëm dy fëmijë, por nga që ata ishin të vegjël, nuk emigruan. Tani që janë të rinj, mendimi për t’u larguar nga Shqipëria u sillet rrotull si skifter. Më i madhi po vështron të përdorë një mundësi për në Hollandë.
Familja e zgjeruar prej martesave dhe lindjeve ka arritur në 90 veta, nga të cilët 45 veta, ose gjysma (50 për qind), siç thuhet në Myzeqe, “kanë çarë ferrën nga sytë këmbët”. Nga 45 të emigruar, 20 kanë pasaporta të huaja dhe nuk mbajnë asnjë lidhje me Shqipërinë zyrtare.
Secili prej shtatë të moshuarve, gjatë tregimit nuk e përmendin fjalën që s’ka burim shqipen - emigrim. Nuk e përdorin fjalën me burim shqipen - të larguar. Ata, për fëmijët e tyre, thonë dy fjalë : KANË IKUR.
Kur ende ishte në këtë jetë, Profesor Ramadan Sokoli e qortonte ashpër përdorimin e foljes me ikë në vend të foljes me u largue. Po të ishte gjallë, ndoshta do ta korrigjonte veten, për sa i përket fenomenit të emigrimit të shqiptarëve, sepse të ikurit - të vendosur në dhera të huaja - janë të panumërt dhe kthimi i tyre në atdhe si vizitorë nuk e tjetërson fenomenin ekonomiko-social llahtarisës, që ka sjellë një pakësim të frikshëm të popullsisë, edhe pse Shqipëria nuk është futur në ndonjë luftë, as të shkurtër as të gjatë.
Largimi i popullit ka ndodhur pa pasur pushtim të vendit.
Spastrimi i madh është kryer pa u ushtruar racizëm etnik.
Përmasa e ikjes së njerëzve është “gjenocid”, i shkaktuar nga dy armiq: papunësi + varfëri.
Eshtë krijuar hutim i përgjithshme.
Sjellja e qenies njerëzore është bërë e vrazhdë.
Familja ka pësuar shpërbërje deri në thellësinë më të madhe.
Shoqëria ka humbur drejtëpeshimin.
Gjithçka shkon kah caku i patologjisë.
Përreth secilit është krijuar shkretëtira njerëzore.
E vetmja gjë ngushëlluese sillet të jetë teknologjia. Ajo e ka kthyer qelizën e shoqërisë në “familje elektronike”. Kjo e lehtëson komunikimin dhe njëherësh fotografon, duke dokumentuar se shqiptarët ndoshta janë populli më i mallëngjyer.