Nga Jorida Tabaku/
Tentativa e turpshme e qeverisë Shqiptare për të korruptuar një gjyqtar të Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut dëshmon dy fakte tejet interesante.
Së pari, tentativa e qeverisë për të korruptuar apo ndikuar në vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut tregon qartë se kjo mazhorancë dhe kjo qeveri nuk beson tek pushtetet e pavarura. Katër vjet më parë kryebashkiaku Veliaj me urdhër të kryeministrit Rama rrethoi Gjykatën Administrative me administratën e bashkisë Tiranë. Kryeministri Rama në të njëjtën periudhë vazhdonte sulmet ad hominem ndaj gjyqtarëve që nuk i përkuleshin vullnetit të tij, në shumë raste kanë qenë gjyqtarët që kanë denoncuar kërcënimet e tij.
Ngjarje të tilla dëshmojnë qartë se kryeministri Rama nuk beson tek pavarësia e gjyqësorit. Tentativa e tij për të dërguar një person me çantën e ryshfetit që i ofron gjyqtarit “trenin e ryshfetit që nuk do t’i vijë më në stacion” është metafora e kësaj qeverie. Synimi i të cilës është dhe mbetet kontrolli i gjyqësorit apo korruptimi i tij.
Së dyti, kjo sjellje korruptive ku qeveria angazhohet që të ndikojë Gjykatën Europiane të Drejtave të Njeriut për të votuar pro një Ligji që ndëshkon Pronarët është shenjë e armiqësisë dhe urrejtjes që Rama ka ndaj pronarëve. Urrejtje të cilën qytetarët e Tiranës e kanë provuar për 12 vite me radhë ndërsa qytetarët e Shqipërisë nga jugu në veri kanë mbi 4 vite që e provojnë.
Qeveria Rama (Rilindjes dhe Tepsisë), e nisi betejën e tij kundër pronarëve që në ditën e parë që erdhi në pushtet. Ai ishte ideatori i ligjit të turpshëm të investimeve Strategjike dhe po kështu arkitekti malinj i Ligjit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ligji në fjalë është sot në bankën e Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut, për këtë ligj që nuk kthen dhe nuk kompenson pronën qeveria Rama ka dashur të korruptojë një gjyqtar të kësaj gjykate.
Për katër vjet me radhë ne kemi denoncuar qeverinë si për tentativë për të uzurpuar gjyqësorin dhe për armiqësi dhe urrejtje karshi pronarëve. Fakti që kjo qeveri është investuar kaq fortë sa të përpiqet të korruptojë deri dhe një gjykatë prestigjioze si ajo e Strasburgut na jep të drejtë për çfarë kemi akuzuar por mbi të gjitha na jep një detyrim moral për t’i dhënë fund një orë e më parë kësaj qeverie që nuk di të ndalet.
p.s Dy vjet me pare bashke me koleget derguam ne Gjykaten Kushtetuese Ligjin e Kthimit dhe Kompensimit te Pronave. Sot jemi me te bindur qe qeveria ka ushtruar presion ndaj Gjykates per te marre ate gjysme vendim qe mori.