Nga Qemal SAKAJEVA/
Asnjëherë nuk ka ndodhur, ajo që u pa në forumin e Alpbach të Austrisë: televizionet transmetuan duartrokitjet e forta dhe të gjata, sapo presidenti Hashim Thaçi tha fjalën e fundit dhe u nis të ulej diku pranë presidentit Aleksandër Vuçiç, siç i kishte rregulluar protokolli politik. Organizatorët e kuptuan anglishten e Thaçit për “korrigjim të kufirit”.
I përkëdhelur nga kjo përkrahje e hapur - mbështetjet mbështillen me terma si ato të bulbës së qepës - Thaçi hodhi një hap të guximshëm. Atë që nuk kishte provuar as në presidencë, as në kuvend, as në ndonjë vis të Kosovës, madje as diku nëpër botë, e tha në një intervistë për gazetës “Der Standard”, duke shqiptuar diçka që pakkush në hapësirën shqiptare e ka besuar:
“ Ideja për korrigjimin e kufijve është e imja. Si dhe ideja për përfshirjen e Luginës së Preshevës është e imja”.
Asnjë tjetër në Ballkan nuk ka marrë publikisht autorësi kësisoj, përveç presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliç, i cili kur ishte ende në pushtet, pati deklaruar se krijimi i Bashkësisë së Komunave Serbe ishte ide e tij.
Të dyja këto ide - më herët e Nikoliç, më vonë e Thaçit - e kanë kthyer Kosovën dhe shoqërinë e saj në gjendjen e pasigurisë, guximit dhe frikës, si pak para bombardimeve të vitit 1999 kundër Jugosllavisë. Edhe dy zëra realistë, i kancelares gjermane Angela Merkel dhe i ambasadorëve britanikë në Prishtinë e Beograd, dëgjohen mbytur mes termave plot ambalazh, si dhe deklaratës së John Bolton këshilltar për sigurinë kombëtare i presidentit Donald Tramp, kur tha se SHBA nuk do të marrin pjesë në çështjen e korrigjimit të kufirit, por do të pranojnë zgjidhjen që palët arrijnë mes tyre.
Pikërisht këtu rri fshehur guximi i Thaçit: të jetë ngarkuar t’u dalë zot gjithë pasojave, me autorësinë për korrigjimin e kufirit, por i marrë nën mbrojtje, siç kuptohet dhe prej komisionerit për zgjerim i BE Johannes Hahn, kur tha në Durrës se, “çdo lloj marrëveshje dypalëshe nuk duhet të ndikojë stabilitetin e rajonit, cilido qo të jetë objektivi përfundimtar”?! Kjo do me thënë: nëse Thaçi e Vuçiç ndajnë Kosovën, do të shpallet si vullnet i përbashkët i të dy shteteve, dhe çështja mbyllet në qyp, sepse pas këtij korrigjimi s’duhet të këtë korrigjime të kufirit në vende të tjera, prandaj askush në rajon të mos ndikohet - duhet të ruhet stabiliteti! Edhe zëdhënësja e BE, Maja Kocijançiç, kur u pyet për korrigjim të kufirit, nuk pranoi të thotë asgjë “në këtë fazë të fundit të dialogut”. Në konferencën për shtypit në Alpbach, kur një gazetar pyeti se çfarë kishte ndodhur një natë më parë, sepse nuk vërehej tension mes dy presidentëve, përgjigja e tyre ndaj pyetjes të dukej si marrëveshje e përbashkët fjale.
“Sepse kemi folur lirshëm dhe me sinqeritet”, - u përgjigj Vuçiç duke iu avitur çështjes.
”Vendi është shumë i bukur, natyra është e mahnitshme, por edhe ajri është shumë i mirë”, - u përgjigj Thaçi, duke iu larguar çështjes me vite dritë, me një frazë hartimi filloristësh mbi pizazhin alpin.
Por presidenti i Austrisë, Aleksander Van der Belen ia hoqi mbështjelljet qepës së Thaçit dhe Vuçiç, kur tha me entuziazëm këtë konstatim:
“Diçka ka ndodhur mbrëmë”.
Të dy presidentët janë shpallur autorë të formulës për marrëveshje, me dy terma të ndryshme për të bërë të njëjtën gjë: njëri e thotë me spërdredhje - korrigjim, dhe përmend vetëm Luginën, tjetri e thotë troç - ndarje, dhe përmend veriun dhe pasuritë e mëdha. Vuçiç përpiqet t’i bindë serbët se Kosova është e humbur, por duke i ndarë territore dhe pasuri jetike, kjo është fitore. Thaçi nuk lodhet në konferenca pa fund, t’u shpjegojë shqiptarëve se Kosova është fituar, dhe çdo korrigjim i kufirit nuk është humbje.
Kush dreqin ua mësoi këto dy sofizma politike, u vuri mbi tavolinë një formulë dhe i detyron të shpallen autorë, madje thërrasin edhe për ndihmë, siç bënë në forumin Albach: Ndërkombëtarë, na mbështesni!
Vështirë të ketë ndodhur diku tjetër, të tallen me popullin si në Kosovë, me plot terma të errëta dhe errësirë informimi.
Komploti është kryer.
Mbetet ndalimi i zbatimit të komplotit.
Ky ndalim nuk mund të bëhet askund përveçse në Kosovë dhe nga Kosova.