Audioregjistrimi i shantazhimit nga ana e Qeverisë Shqiptare ndaj një gjykatësi të Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut në Strasburg është skandali tjetër i madh i rradhës.
Panorama e parë që na vjen nga ky skandal qeveritar është ajo se me ç’far morali, standardi dhe procedure parashikohet të ndërtohet Gjykata e re Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë e re në Shqipëri e pastaj e tërë piramida e sistemit të drejtësisë në të ashtuquajturën “reformë socialiste të drejtësisë”.
Por thelbi i skandalit në këtë rast është tek modeli i shantazhimit që përdor pushteti shtetëror për të zhbërë të drejtën fondamentale të individit mbi pronën përtej sistemit të kapur të drejtësisë shqiptare, tani me këtë rast edhe mbi mekanizmat ndërkombëtar të mbrojtjes të së drejtës siç është Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Me këtë skandal shqiptar edhe mbi drejtësinë evropiane qytetarët panë se sa lehtë mund të dhunohen liritë e tyre.
Se sa thjesht mund të rikthehet ambienti i injorimit dhe nëpërkëmbjes së të drejtave të tyre si në 50 vitet e regjimit diktatorial.
Se si rrezikohen të injorohen edhe nga mekanizmat ndërkombëtar që kanë ekzistuar si shpresa e garantuar e mbrojtjes nga abuzimi i autokracisë së politikave të brendëshme.
Shantazhimi i Gjyqtarit Bianku (i cili duket se ka rezultuar i pasuksesëshëm për shkak të integritetit të tij personal) duhet të jetë vetëm maja e ajzbergut të një fushate pushteti, sponsorizimi, lobimi, mashtrimi, fallcifikimi, qarravitje vetëviktimizuese e që të gjitha këto të inspiruara e nxitura prej urrejtjes klasore që gjeneron në origjinë.
Turrja me urrejtje ideologjike mbi modelin trashëgimor të mirëqënies ngritur mbi bazën e zotësisë, mundit, disiplinës, vizionit por dhe humanizmit dhe filantropisë nisi me ligjin famëkeq të rikonfiskimit të pronës i cili zhbënte të gjitha ato standarde të vendosura që pas rrëzimit të diktaturës.
Një ligj i turpshëm që bashkëudhëtoi me një proces po aq të turpshëm dhe mjeran të gardianëve kushtetues të marr peng nga recidivistë të urrejtjes klasore.
Ka një korespondencë të gjatë dhe atipike midis Institucionit të Presidentit të Republikës dhe Gjykatës Kushtetuese në periudhën 2016-2017 fokusuar tek shqetësimi mbi variantin e fallcifikuar i ligjit dërguar për Amicus Curiae në Komisionin e Venecias. Institucioni i Kreut të Shtetit kurrë nuk u lejua të bënte transparencën e një akti të tillë të rëndë fallcifikimi por që unë jam i bindur se nuk do mund ti ikë një hetimi të thellë parlamentar, sot apo nesër qoftë.
Informacionet mediatike që rridhin nga Strasburgu të linin pa fjalë kur mësoje se si eksponentët qeveritarë lobonin pranë Gjykatës më të Lartë Evropiane për të drejtat njerëzore, që dosjet e qytetarëve shqiptarë të mbylleshin dhe hidheshin në koshin marksist të Rilindjes shqiptare.
Në mënyrë të paprecedentë Këshilli i Evropës refuzon dhe kthen mbrapsh tre herë rradhazi propozimet e Shqipërisë për gjyqtarin përfaqësues në GJEDNJ si një shuplakë ndaj një platforme qeveritare që ka jo vetëm për moral dhe ves por dhe praktikë të pakorrigjueshme kapjen dhe korruptimin.
Duket se ajzbergu i lobimit tashmë dhe i peshuar rëndë ideologjikisht nuk ka qënë pa pasoja për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptar.
Çështjet e të drejtave të pronave të tyre kanë mbi tre vite të bllokuara në sirtaret e kasave të Gjykatës Evropiane nga ku rrinë e vështrojnë ecejaket boshe të zyrtarëve të Tiranës që kthehen prej fluturimeve në Rinas me ngërdheshjen triumfaliste se “ja hodhëm dhe këtë rradhë atyre evropianëve”.
Tentativa për ta blerë e nëse nuk blihet, për ta lënë pa punë e pa bukë Gjyqtarin e Strasburgut nuk është thjesht persistenca në urrejtjen ndaj të drejtave fondamentale por dhe qasja, konsiderata, trajtimi, në fund të fundit gjykimi i një qeverie të pa ftilluar e kultivuar me vlerat e lirisë, ndaj një Gjykate që është lindur dhe kornizuar si tampon ndaj dhunimit të këtyre lirive.
Në këto vite të lobimit për ngrirje të gjykimit dhe vendimeve për pronat e shqiptarëve nga Strasburgu u qartësua edhe më shumë synimi i vërtetë i kleptokratëve të Tiranës.
Nga njëra anë zero vendime të reja në pesë vite për njohjen e të drejtës mbi pronën e grabitur.
Formula përçudnuese, ku përqindja zbritëse ligjërohet në komunikimin zyrtar sikur të ishin duke falur pronën e babait të tyre dhe jo duke rikthyer lirinë dhe të drejtën e tjetrit e gjymtuar dhe shkatërruar në dekada.
Deklarata mashtruese ndër faqe gazetash për fonde që u ndahen pronarëve, por që buxheti i vetëm i shpenzuar është pagesa e reklamës së bërë në media e asnjë kacidhe tek qytetari që traumatizohet nga kushtet që ju përplasen sapo paraqiten në sportelet pa para.
Nga njëra anë qeveria shpërblen oligarkët e saj me financa kesh nga vjelja e pronave të të tjerëve ende nën sekuestrim që prej shtetit monist e nga ana tjetër kukulla e qeverisë në Bashkinë e Tiranës jep hektarë troje e pyje me vlerën e një apartamenti pronarëve të sajuar, klientë të pushtetit.
E pronarët e grabitur, rrinë pafundësisht e vështrojnë nga Strasburgu.
Shantazhimi i Gjyqtarit të Gjykatës Evropiane nuk mund të kalojë e as të harrohet me një njoftim formal “se kanë nisur hetimit”.
Ai është një krim i rëndë penal në juridiksionin shqiptar por edhe atë evropian.
Si qytetar i këtij vendi pres të shoh një angazhim real dhe fondamental të Prokurorisë së Shtetit në hetimin e këtij krimi shtetëror.
Ju bëj thirrje deputetëve opozitarë, anëtar të delegacionit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës të kërkojnë axhendë diskutimi në kalendarin e sesionit të vjeshtës në këtë Asamble mbi çështjen e kthimit dhe kompesimit të pronës të konfiskuar pa shpërblim nga rregjimi komunist në Shqipëri.
Sa për një hetim të thellë parlamentar ndaj qeverisë aktuale për shkeljen brutale të lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve shqiptar, jam i bindur se do të vijë në kohën e vet.