Nga Qemal SAKAJEVA
Le të ndërtojmë një paralele.
Në njërën anë, e vërteta e sotme: Kosova e çliruar më 1999, Bashkimi Europian ndërmjetës bisedimesh, radikalët në Beograd gjithmonë qeverisës.
Në anën tjetër, e vërteta legjendë: Amerika e zbuluar më 1492, Kristofor Kolombi hero i gjithkohshëm, fisnikët spanjollë ziliqarë të paepur.
Ajo që kishte ndodhur atëherë para pesë shekujsh, ishte dhe mbeti e jashtëzakonshme për njerëzimin: u zbulua Bota e Re (New World) dhe Kristofor Kolombi mbeti hero i Spanjës.
Ajo që ndodhi në vitin 1999, ishte lufta humane e NATO-s për shpëtimin e shqiptarëve nga spastrimi etnik i sigurtë dhe SHBA e vende të Bashkimit Europian i “zbuluan” botës Kosovën e nxjerrë nga thundra, burgu dhe terrori serb.
Fisnikët ziliqarë spanjollë iu patën sulur Kristofor Kolombit, t’ia zbehnin e t’ia bënin asgjë lundrimin e guximshëm dhe zbulimin historik.
Radikalët serbë nëpër të gjitha qeverisjet zbrazën urrejtje kundër SHBA dhe vendeve të Bashkimit Europian, duke i cilësuar pushtues me luftë të territoreve serbe, ndërsa Pakon Ahtisaari që çoi në pavarësinë e Kosovës dhe krijimin e shtetit të ri e quajtën paçavure.
Deri kur erdhi lufta, bota perëndimore dhe njerëzimi me të drejtë e njihte si “Çështja e Kosovës”. Por pas çlirimit dhe pavarësimit të saj, Serbia ka arritur ta detyrojë Bashkimin Europian t’a mbajë mbi tavolinë me të njëjtin term - “Çështja e Kosovës”, madje po synon të arrijë një konferencë ndërkombëtare, si mënyrë për ndryshimin e rezultatit të luftës, përveç të tjerave, edhe me “border correktion” (korrigjim i kufirit). Ky ishte dhe mbetet lëshim e gabim i Bashkimit Europian, që e ka dëmtuar dhe komplikuar një zgjidhje të përfunduar që prej shumë vitesh.
Qysh nga çlirimi dhe pavarësimi nuk ka pse të mbetet më cilësimi “Çështja e Kosovës”.
Serbia është çështja, si në luftë dhe në paqë.
Lufta e shqiptarëve dhe pavarësia e Kosovës ndodhën brenda caqeve rreptësisht të përcaktuara, pa cenuar e dëmtuar asnjë vend fqinj, me të cilat u arrit:
Të shpëtohej populli.
Të mbroheshin pakicat, përfshirë atë serbe.
Të çlirohej territori.
Të merreshin nën administrim pasuritë mbi dhe nëntokësore.
Të garantoheshin kufijtë e Kosovës si njësi administrative e Federatës Jugosllave.
Këto përbëjnë “vijën e kuqe”, të cilën Serbia nuk duhet lejuar t’a shkelë e t’a kapërcejë. Askush në Kosovë dhe në botë nuk ka mandat t’i negociojë ato. Gjithçka tjetër është teknike dhe bisedimet duhet të merren vetëm me to.
Por është e pabesueshme se si, që prej pak vitesh, Kosova e vogël u shndërrua në çështje të ndërlikuar të madhe, sikur të ishte pika më kritike e globit, edhe pse me një prani ndërkombëtare të llojllojshme qysh prej gati 20 vjetëve. Serbia është hedhur në ofensivën finale për të arritur marrëveshjen e pushtimit paqësor të Kosovës në disa forma, brenda strategjisë së saj për të mos e njohur pavarsinë. Eshtë koha që Bashkimi Europian të bëjë sfidën e mbrojtjes së Kosovës dhe të kontributit të vetë, prandaj: BE, thyeje vezën! - si Kolombi - dhe Kosova të rrijë në këmbë, ndërsa radikalët serbë në qeveri e jashtë saj, le të turfullojnë si dikur fisnikët spanjollë kundër zbuluesit të madh. Kaq e thjeshtë është zgjidhja, e arritur me luftë dhe Pakon Ahtisaari, e zbatuar me zell nga shteti i Kosovës, si kompromisi më i madh i shqiptarëve.
Serbia të njohë Republikën e Kosovës kështu siç është, në kufijtë zyrtarë dhe hisen e vetë të diellit. Dhe bashkë me Serbinë, t’a njohë edhe vetë BE!