Nga Qemal SAKAJEVA
Lajmi ishte përhapur me Facebook, se promovimi i librit do të bëhej në Muzeun Historik Kombëtar, në Tiranë, data 11.9.2018, ora 11. Duke shkuar për te salla, një mesoburrë me uniformë zyrtare dhe baxhë varur në qafë, e hetoi paqartësinë tonë, për vendndodhjen e saj, dhe udhëzoi:
-Sipër, lartë në katin e dytë.
Salla qe mbushur me të ftuar, dhe Simon Rrota (23.1.1887-27.1961) ishte i pranishëm vetëm si frymë, me emër në krye të librit, falë Pjetër Logorecit, Eduard Rrotës dhe Frano Kullit, i Botimeve Fishta. Aty folën gjashtë veta, i pari ndër ta drejtori i Muzeut , i cili u shpreh në gjuhën standart, dhe ndër të tjera tha se Shkodra ishte kryeqytet kulturor i Shqipërisë dhe gjuhën e Simon Rrotës e cilësoi “ shkodranishte të ëmbël”. Pesë të tjerët folën në gegnisht.
Pas përfundimit, në hollin e madh përballë derës dalëse nga ana e pesëmbëdhjetëkatëshit, u shfaq përsëri burri me uniformë zyrtare e baxhë. Duke vështruar, tek mbanim nga një libër në dorë, u afrua me ngut për ta parë dhe njëkohësisht tha:
-Paska botuar libër?
Ndoshta e ngatërroi me dikë tjetër të gjallë. Autorin nuk ka pasur si ta njihte, sepse ai ka shumë vite që ka ndërruar jetë. E mori librin ndër duar dhe titullin e lexoi me zë:
“Simon Rrota: Po shkru për vendin dhe shkodranin”.
Buzëqesha për mos ta fyer, dhe i thashë:
-Jo,jo! E lexove gabim. Lexoje prapë.
Nisi të lexonte edhe më i përqendruar.
“Simon Rrota: Po shkru për...”, - tha me zë dhe nuk vazhdonte.
-Prapë lexove keq.
Ia nisi nga e para.
“Po shkru...”, - tha, pastaj e ndërpreu përpjekjen për lexim të mëtejshëm dhe m’u drejtua: ”Ja, a nuk e është “ për vendin dhe shkodranin?”
-Jo, nuk është e shkruar siç e lexon ti. A ta lexoj unë për ty?
Miratoi me vështrim i dorëzuar.
Ia lexova emrin e autorin dhe titullin e librit:
“Simon Rrota: Po shkruej për vedi e Shkodrën”.
Me të dëgjuar titullin që ia lexova, burri lëshoi një fjali të shkurtër shfajësuese për veten e tij ( dhe shumë të tjerë), diçka e pritshme, por për të vënë duart në kokë:
“Qënka në gjuhën e tyre!”-tha.
Duke u larguar, të dy me shokun tim, thamë:
-Sa keq që nuk është i vetmi. Gjysëm analfabetë në toskërisht dhe analfabetë të plotë në gegnisht, deri në tëhuajsues të gegnishtes, ka aq shumë!