Rasti i sotëm i bandës së Bajrave është një film i parë. Opozita e ka denoncuar prej muajsh bandën që po terrorizonte Shkodrën, ndërkohë që shteti interesohej të prodhonte intervista-film ku shpjegohej se Safet Bajri s’kërkohej nga ndërkombëtarët e se ai s’kishte asnjë precedent kriminal. Por sërish zëri i Belgjikës u bë shumë i fortë për t’u injoruar dhe sot disa seksione policore e ndalën Bajrin dhe po bëjnë një kakofoni akuzash, që nga ekstradimi për interes të Belgjikës e deri tek përfshirja e bandës në trukimin e ndeshjeve.
Leximi është i qartë. Aleanca mes strukturave policore dhe politike të PS me këtë grupim mbetet gjithë kohën në këmbë, por Fatmir Xhafa është në një pozicion të vështirë dhe hëpërhë i duhet të ndërmarrë disa hapa, që të regjistrojë disa statistika suksesi. Më tej, kur zhurma të fashitet, do të zbulojmë se ndoshta ndalim-arrestimet e sotme janë bërë në kundërshtim me ligjin, mund të zbulohet ndoshta se prokurorët s’po provojnë dot “ligjshmërinë e ekstradimit” apo në një rast të dëshpëruar, pas ca kohësh, do të mund të verifikohet shkërmoqja e dosjes hetimore, për “kapërcim afatesh”.
Ajo çka po ndodh me Dosjen “Shullazi” është një garanci se kjo rrugë do të ndiqet edhe me grupin e ri të të ndaluarve. Që të gjitha këto grupe tashmë s’janë më thjesht struktura të organizuara kriminale, por janë parasëgjithash aleatë politikë të Edi Ramës dhe si të tillë, ata gëzojnë mbrojtjen adekuate. Mark Frrokut ju mbajt për mbi 2 vjet kërkesa për ekstradim në sirtar në kundërshtim me çfarëdolloj procedure, grupi i deputetëve me rekorde kriminale luan sërish rol politik, por tashmë në parlament përfaqësohet nga bedelët e tyre (rasti Çyrbja është emblematik), ndërsa sjellja me Tahirin dhe Shullazin është treguesi se sa e pathyeshme është kjo aleancë.
Hallet politike që e presin Edi Ramën janë një tjetër indikator se kryeministri s’bën dot asnjë betejë elektorale pa këto grupe, prandaj edhe mund të themi se arrestimet e sotme kanë thjesht statusin e përkohshmërisë, derisa jehona e zërit të ndërkombëtarëve të mos jetë shumë e fortë. Kur të bjerë zëri apo kur të rrënohet dosja hetimore, ortakët e Ramës do të dalin nga qelitë e do të rinisin “punët” e tyre, duke mos harruar të kryejnë edhe një shërbim të vogël, të grabisin vota për kryeministrin.