Nga Augustin Palokaj
Që nga periudha e pasluftës e deri më sot lidershipi kosovar ka pasur konsistencë vetëm në synimin për arritjen e pavarësisë. Por në politikën e jashtme Kosova ka pasur një mungesë kronike të konsistencës edhe rreth temave jetike strategjike. Ja, edhe sot askush, as miqve të Kosovës e as kundërshtarëve të pavarësisë, që po fitojnë gjithnjë e më shumë hapësirë, nuk mund t’u japë një përgjigje të prerë se cili është qëndrimi i Kosovës për ndryshimin e kufijve të saj. Nëse duhet gjykuar në bazë të raportimit të mediave dhe mbledhjeve publike të Qeverisë, siç u ka këshilluar kryeministri diplomatëve të Kosovës, atëherë mund të themi se Kosova nuk ka qëndrim të prerë ose ka disa qëndrime, ose ka shumë dallime mes presidentit Hashim Thaçi në njërën anë dhe kryeministrit Haradinaj e kryeparlamentarit Veseli në anën tjetër.
Një problem serioz ka shkaktuar pranimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që me homologun e tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq, të bisedojë edhe për ndryshimin e kufijve. Pak ka rëndësi a e quan dikush këtë “ndarje në vija etnike”, “shkëmbim territoresh” apo “korrigjim të kufirit”, fjala është gjithsesi për ndryshimin e tyre. Dhe kjo, prapë nëse është për t’i besuar presidentit të Kosovës, do të përfshinte edhe mjedise të banuara me shumë njerëz e jo vetëm ndonjë hektar të ndonjë livadhi që do të duhej korrigjuar. Kjo ka sjellë për herë të parë në hall të gjithë ata që tash e tridhjetë vjet kanë insistuar që të mbrohet parimi i mosndryshimit të kufijve në territorin e ish-Jugosllavisë. Kanë pasur arsye ata që kanë insistuar në një gjë të tillë. Por tash ata janë duke u përballur me një dilemë të re dhe me kritika se janë “kundër një marrëveshjeje që do të sillte paqe”. Kush do të mundë të garantonte se një marrëveshje për ndryshimin e kufirit do të sillte paqe. Kush mund ta dijë se, edhe nëse arrihet, si do të zbatohej një marrëveshje e tillë.
Është shkruar shumë dhe do të shkruhet edhe në të ardhmen në favor dhe kundër ideve të ndryshimit të kufijve. Është naive të thuhet se nuk do të ketë ndarje në vijat etnike nëse me shkëmbim territori shumica e mendojnë versionin sipas të cilit veriu i Kosovës do të shkonte me Serbinë e një pjesë e Luginës së Preshevës do të bashkohej eventualisht me Kosovën. Pse të mos shkonte për shembull Podujeva me Serbinë e Novi-Pazari t’i bashkohej Kosovës, nëse vërtet nuk është fjala për ndarje në vijat etnike, do të thoshte dikush me ironi.
Por ajo që po ia huqin analistët, sidomos ata jashtë Kosovës, kryesisht të paguar nga Serbia për të promovuar ide të tilla, është se nuk ka pasur një pranim të qartë nga Kosova që të ketë shkëmbim territoresh. Përvoja na mëson se duhet marrë me kujdes edhe deklarimet e politikanëve të Kosovës, të cilët kanë dëshmuar mungesë të konsistencën në të kaluarën. Por nëse bazohemi në prononcimet publike, atëherë duket se presidenti Thaçi ka arritur ta ketë mbështetjen vetëm nga Lutfi Haziri i LDK-së, një ndër politikanët më me përvojë të kësaj partie, dhe të askujt tjetër. Haziri në fakt flet vetëm për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, por edhe ai e di se kjo nuk është e mundur pa largimin e një pjese të madhe të Kosovës që do t’i bashkohej Serbisë.
Është interesante të vërehet se askush nga Serbia nuk reagon ashpër kur flitet për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, por reagojnë kur Haradinaj premton heqjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Një anketë e publikuar këto ditë në Kosovë ka treguar se afër 80 për qind e qytetarëve janë kundër ndryshimit të kufijve. Në mesin e shqiptarëve të Kosovës ky kundërshtim mund të jetë edhe më i madh. Kundër ndryshimit të kufijve u protestua të shtunën në Prishtinë në një prej protestave që duket të kenë qenë ndër më të mëdhatë në Kosovën e pasluftës. Edhe spektri politik dhe shoqëria civile duket se janë qartë kundër kësaj ideje. Edhe diplomatët e vendeve të BE-së në Prishtinë kanë tërhequr vërejtjen se shkëmbimi i territoreve nuk do të mundë të bëhej pa dhunë. Dhe kundër ideve për ndryshim territoresh janë deklaruar edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i partisë kryesore politike në Kosovë, PDK-së. PDK-ja nuk është më partia më e madhe, por vazhdon të jetë partia kryesore, sepse u ka dëshmuar deri më tash të gjithë atyre që kanë dashur të jenë në pushtet se vetëm ajo parti mund t’ua realizojë ato qëllime. PDK-ja e bëri kryeministër njëherë Isa Mustafën e pastaj Ramush Haradinajn. Ajo po ashtu e bëri zëvendëskryeministër dhe ministër të Jashtëm Behxhet Pacollin. Ajo e ka pasur dhe vazhdon ta ketë fjalën kryesore në politikën kosovare, pa marrë parasysh a janë në pushtet apo opozitë dhe cilat ministri i kanë nën kontroll. Prandaj është edhe i rëndësishëm kundërshtimi i Kadri Veselit ndaj ideve për ndryshim të kufijve, sepse ai flet edhe si kryetar i PDK-së. E nëse presidenti Thaçi nuk e ka mbështetjen as të kryetarit të partisë së tij dhe as të kryeministrit atëherë ai duket të jetë pak a shumë i vetmuar në idenë e tij për marrëveshje me Vuçiqin.
Kur Kadri Veseli bën thirrje që shqiptarët të bashkohen, sepse vetëm në atë mënyrë mund ta mposhtin Serbinë edhe këtu del kundër presidentit Thaçi, i cili flet se po punon në një marrëveshje ku nuk do të ketë fitues e humbës dhe nuk ka qëllim që njëra palë të fitojë e tjetra të humbë.
Që nga periudha e pasluftës e deri më sot lidershipi kosovar ka pasur konsistencë vetëm në synimin për arritjen e pavarësisë. Por në politikën e jashtme Kosova ka pasur një mungesë kronike të konsistencës edhe rreth temave jetike strategjike. Ja, edhe sot askush, as miqve të Kosovës e as kundërshtarëve të pavarësisë, që po fitojnë gjithnjë e më shumë hapësirë, nuk mund t’u japë një përgjigje të prerë se cili është qëndrimi i Kosovës për ndryshimin e kufijve të saj. Nëse duhet gjykuar në bazë të raportimit të mediave dhe mbledhjeve publike të Qeverisë, siç u ka këshilluar kryeministri diplomatëve të Kosovës, atëherë mund të themi se Kosova nuk ka qëndrim të prerë ose ka disa qëndrime, ose ka shumë dallime mes presidentit Hashim Thaçi në njërën anë dhe kryeministrit Haradinaj e kryeparlamentarit Veseli në anën tjetër.
E sa herë që Kosova ka vepruar pa konsistencë i ka hapur hapësirë Serbisë që, me ndihmën e Shërbimit të jashtëm të BE-së, EEAS, të punojë për të kthyer në tryezë një temë që thuhej se ishte përfunduar, pavarësimin e Kosovës në luftë, në të cilën ishte shpallur shtet më 17 shkurt të vitit 2008. Ja tash na u desh që edhe Gjermania të na e rikujtojë se Kosovën si shtet e ka pranuar në kufijtë e tashëm sipas propozimit të Ahtisaarit. Këtë Kosova do të duhej ta kuptonte edhe si vërejtje serioze, sepse në rast se vetë Kosova pranon të vërë në dyshim kufijtë e saj, nëse vetë Kosova jep shenja se “Pavarësia e Ahtisaarit” ka qenë gabim dhe jo zgjidhje përfundimtare e tash duhet një zgjidhje ku “secili humb nga diçka” dhe “asnjëra palë nuk është krejtësisht e kënaqur”, atëherë kjo mund të kuptohet si presion ndaj shteteve që e kanë njohur Kosovën. Këtyre shteteve që tash Serbia po u çon porosi se “kanë gabuar” dhe se “tash po shihet se e kanë pranuar gabimin”. Po ashtu luhatjet në kërkim të “zgjidhjes përfundimtare” po shfrytëzohen, me shumë sukses, nga Serbia për të penguar njohjet e Kosovës duke u thënë shteteve se “po negociojmë për një zgjidhje të re dhe ajo e 2008-s nuk ka qenë përfundimtare, por një gabim”.
Të gjitha pasojat që Kosovës ia ka shkaktuar dialogu, në të cilin u mashtrua rëndë nga BE-ja, dhe nga përshtypja se është e gatshme për marrëveshje për shkëmbim territoresh me Serbinë, Kosova mund t’i zvogëlojë nëse tash del me një deklaratë zyrtare, qoftë përmes vendimit të Qeverisë ose Rezolutës së Kuvendit se nuk do të pranojë ndryshimin e territorit të saj. Nëse kjo nuk ndodh, në bashkësinë ndërkombëtare do të vazhdojnë të kuptojnë se presidenti Thaçi flet në emër të tërë Kosovës kur shpreh gatishmëri për marrëveshje me Serbinë, që do të nënkuptonin ndryshimin e kufijve. Por nëse BE-ja e kupton se Kosova nuk është e gatshme të pranojë ndryshimin e kufijve atëherë do të ndaleshin idetë e tilla, sepse ato ide po shihen si “zgjidhje që duan të dyja palët” dhe se “nëse vetë palët pajtohen atëherë nuk duhet refuzuar një zgjidhje të tillë”.