Nga Adriatik Kelmendi
REFERENDUMI PËR EMRIN në Maqedoni dështoi të dielën, por me rëndësi është që nuk dështoi edhe diçka tjetër. Edhe një herë të dielën u bë e qartë se shqiptarët janë aleatët më të mëdhenj të Perëndimit në këtë rajon dhe se janë shqiptarët ata që angazhohen më së shumti për sigurinë e rajonit, dhe jo vetëm të rajonit.
Sipas strukturës etnike, pjesa më e madhe nga 37 për qind e votuesve të përgjithshëm që dolën për të votuar në referendum ishin shqiptarë. 91 për qind e votuesve ishin në favor të ndërrimit të emrit në Maqedonia Veriore dhe për anëtarësimin e shtetit në Bashkimin Evropian dhe në NATO (siç ishte edhe e formuluar pyetja e referendumit). Meqë lista e votuesve ishte e fryrë, në 1.8 milionë qytetarë, u tregua e pamundur që 900 mijë persona të votonin në të, kështu që nuk u arrit censusi prej 50-përqindësh.
Mirëpo, përcaktimi u ravijëzua: shqiptarët në përgjithësi votuan për Perëndimin, shumica e sllavo-maqedonasve e lanë të hapur derën për Lindjen.
Nëse Maqedonia, me ndryshimin e emrit, bëhet pjesë e NATO-s dhe i hapet dera për anëtarësim në BE, i bie se me këtë hap dera i mbyllet Federatës Ruse dhe ndikimit të saj në rajon.
PO TË MOS ishin shqiptarët, gjasat janë tepër të mëdha që sot Federata Ruse do të ishte e ulur këmbëkryq në rajon, kurse NATO-ja do të bënte sehir prej larg. Ironikisht, mospërkrahja e mjaftueshme e Perëndimit pas dy luftërave botërore të shekullit të kaluar që shqiptarët të jetonin brenda një shteti është duke iu shpaguar shumëfish atyre në këtë shekull.
Sot janë shqiptarët ata që kanë bërë/po bëjnë që katër shtete ballkanike të jenë pjesë e NATO-s.
Të shkojmë me radhë: Që nga rënia e komunizmit Shqipëria ka qenë shteti më pro-NATO në rajon. Të gjitha subjektet politike në Shqipërinë pluraliste kanë pasur si pjesë programore anëtarësimin e shtetit në Aleancën Veriatlantike. Dhe natyrisht u duartrokit gjithandej anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në Samitin e Bukureshtit të vitit 2008.
Shqiptarët e Kosovës u çuan në luftë kundër Serbisë, duke kërkuar edhe intervenimin e NATO-s. Po të mos ishin aspiratat e shqiptarëve të Kosovës për liri nga regjimi prorus i Beogradit, sot Kosova do të vazhdonte të ishte pjesë e Serbisë, kurse si rrjedhojë Serbia do të ishte edhe më afër Rusisë. Mirëpo që nga qershori i vitit 1999 - kur NATO-ja hyri si çlirimtare në Kosovë, kurse Serbia kapitulloi - NATO-ja është forcë sigurie në shtetin i cili u pavarësua para 10 vjetësh. Së këndejmi, askush sot nuk ka ndonjë dyshim se NATO-ja do të jetë e angazhuar si forcë paqeruajtëse në Kosovë, deri në çastin kur Kosova do të jetë pjesë e NATO-s.
Ndërsa në kontekstin e një pritshmërie që dy shtetet me shumicë shqiptare sot, Shqipëria dhe Kosova, natyrshëm do të donin të jenë me Paktin Ushtarak të NATO-s, kjo nuk del e vërtetë kur kemi parasysh Malin e Zi dhe Maqedoninë. Popullata etnikisht shumicë në të dyja këto shtete të Ballkanit nuk dëshiron të jetë në NATO ose me NATO-n.
Sikur të mos ishin votat e shqiptarëve në referendumin për pavarësimin e Mali të Zi, në vitin 2006 (i cili kaloi vetëm për 0.5 për qind pragun e kushtëzuar prej 55 për qind), ky shtet ende do të ishte në ndonjë lloj federate me Serbinë. E sikur të mos sigurohej pavarësia, e cila pa votat e shqiptarëve nuk do të sigurohej, nuk do të kishte mundësi fare Mali i Zi të aplikonte për anëtarësim në NATO. Gjithashtu, pa votat e shqiptarëve dhe koalicionin e tyre paszgjedhor, në vitin 2016, në pushtet do të vinin partitë politike proserbe dhe proruse në Mal të Zi, gjë që do të shuante gjasat e këtij shteti për t’u bërë pjesë e Paktit ushtarak. Kjo në të njëjtën kohë do të nënkuptonte edhe mundësinë e ndikimit dhe qasjes së Rusisë në Detin Adriatik. Natyrisht, në të dyja rastet, shqiptarët nuk e vunë në dilemë aleancën me Perëndimin dhe sot, falë shqiptarëve, NATO-ja është në Mal të Zi dhe falë shqiptarëve Rusia është jashtë Malit të Zi.
Mbetet, siç u pa edhe me referendumin në Maqedoni, ku 91 për qind të votuesve ishin për anëtarësim në NATO dhe në BE, shqiptarët të vazhdojnë ta luajnë rolin e tyre, në mënyrë që ky shtet të jetë i orientuar kah Perëndimi. Pa shqiptarët e Maqedonisë, siç është parë disponimi në shumicë i etnive të tjera, kjo do të ishte e pamundur.
ËSHTË KOHA QË edhe Perëndimi ta njohë, ta çmojë dhe ta shpërblejë më tepër këtë orientim strategjik të shqiptarëve. Deri më tash, me gjithë përkrahjen për shqiptarët, ka pasur raste edhe kur shtetet e veçanta janë treguar bukur dorështrënguar.
E tillë është qasja ndaj Kosovës me liberalizimin e vizave dhe mosnjohjen nga pesë shtete të BE-së, kurse ngjashëm është edhe me kandidaturën e Shqipërisë për në BE. Në të dyja rastet, përshtypja kryesore është se Perëndimi ka përdorur standarde më rigoroze ndaj shqiptarëve sesa ndaj të tjerëve. Është koha që kjo qasje përfundimisht të ndryshojë. Pa shqiptarët në rajon do të kishte më pak Perëndim në rajon. Lindje do të kishte më shumë. This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it. Twitter: @adriatikk